
Kur mendoni për një kryeqytet evropian, mendja juaj shkon te Parisi, Berlini, Vjena dhe qytete të tjera të njohura. Por nëse nuk keni dëgjuar më parë për Tiranën, atëherë kjo është dita juaj me fat! Kryeqyteti i Shqipërisë ndodhet në të njëjtën zonë kohore me këto qytete dhe vitet e fundit ka marrë gjithnjë e më shumë një pamje evropiane, ndërkohë që ruan elementet e veçanta të kulturës shqiptare dhe të periudhës komuniste.
Që prej vitit 1920, kur u shpall kryeqytet, Tirana është zgjeruar vazhdimisht, duke u shndërruar nga një qytet i vogël tregtar në një metropol të gjallë, ku sot jetojnë mbi gjysmë milioni banorë. Këtu mund të gjeni nga gjithçka, nga historia te kultura dhe jeta moderne.
Ndërsa jeni në Tiranë, mos e humbni mundësinë për të shkrepur një foto pranë disa prej simboleve të saj kryesore, si Monumenti i Skënderbeut, Piramida, Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut.

Berati, me një histori të lashtë prej 2400 vitesh, shtrihet përgjatë lumit Osum dhe mes maleve madhështore të Tomorit dhe Shpiragut. I ndërtuar anash një kodre shkëmbore, në të njëjtin vend ku dikur u vendosën qytetet ilire, Berati ka qenë shpeshherë objekt sulmesh dhe pushtimesh. Megjithatë, kalaja e tij ka qenë gjithmonë e njohur për vështirësinë e pushtimit, falë pozicionit të saj strategjik në majën e kodrës, nga ku kontrollohej e gjithë zona përreth.
Sot, Berati mban nofkën “Qyteti i Njëmijë e Një Dritareve”, për shkak të pamjes unike panoramike të shtëpive të vendosura në shpatin e kodrës. Ai është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, falë arkitekturës origjinale osmane të ruajtur me kujdes. Përveç atmosferës së ngrohtë që të ofron vetë qyteti, këtu do të përjetoni nga afër traditat shqiptare, duke filluar me mikpritjen e përzemërt të vendasve.

Gjirokastra, e njohur si “Qyteti i Gurit”, është shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s dhe ndodhet në jug të Shqipërisë, në shpatet e Malit të Gjerë, me pamje nga lumi Drino. Gjurmët e para të vendbanimeve në këtë zonë datojnë që në shekullin e I-rë pas Krishtit, ndërsa si qendër urbane u zhvillua në shekullin e XIII-të.
Qyteti përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1336 me emrin Argyropolihne (qyteti i Argjyros), më pas u njoh si Argyrokastro. Deri në fund të shekullit të XIV-të ishte nën sundimin bizantin, për t’u kaluar më vonë nën kontrollin e princit shqiptar Zanebisha. Në vitin 1432, Gjirokastra u pushtua nga osmanët, të cilët e quajtën Erigeri, ndërsa në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena e detyroi qytetin të dorëzohej pas një bombardimi të fortë me artileri. Gjirokastra luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në lëvizjen patriotike shqiptare për liri dhe pavarësi.
Sot, Gjirokastra është një nga qytetet më tërheqëse të Shqipërisë, e njohur gjithashtu si “qyteti i një mijë shkallëve” për shkak të relievit të saj të veçantë. Arkitektura tradicionale e shtëpive karakteristike prej guri i jep qytetit një identitet unik, duke e bërë një destinacion të jashtëzakonshëm për vizitorët.

Qyteti i lashtë i Butrintit është një destinacion i jashtëzakonshëm arkeologjik, ku ndërthuren antikiteti dhe bukuria natyrore. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se Butrinti ka qenë një qendër e rëndësishme e Kaonëve Ilirë, një prej fiseve më të mëdha të Ilirisë së Jugut. Zbulimet tregojnë se kjo zonë ka qenë e banuar që në periudhën Paleolitike.
Në shekullin e VI-të p.e.s., grekët nga Korfuzi u vendosën këtu së bashku me ilirët, duke e kthyer Butrintin në një koloni të begatë falë tregtisë. Në shekullin e V-të p.e.s., Butrinti ishte një qytet i fortifikuar ilir, ndërsa në shekullin e IV-të p.e.s. ra nën kontrollin e Epirit. Në vitin 167 p.e.s., qyteti u pushtua nga romakët, duke u bërë më vonë një qendër e rëndësishme bizantine në shekullin e X.
Gjatë shekullit XI, Butrinti u pushtua nga Normanët, ndërsa nga viti 1690 deri në 1797 kaloi nën sundimin e Venedikut, për t’u marrë më pas nga Ali Pashë Tepelena. Me rënien e Pashallëkut të Janinës në vitin 1822, qyteti kaloi nën sundimin osman deri në vitin 1913.
Sot, vizitorët mund të eksplorojnë një sërë gërmimesh të rëndësishme nga shekujt I deri në IV pas Krishtit, duke përfshirë Amfiteatrin e Vjetër, tempullin e Asclepius-it, Baptisterin, Nymphaeumin dhe muret antike të qytetit. Baptisteri, me dyshemenë e tij të zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh, është një ndër atraksionet më të veçanta. Gjithashtu, një kala e vjetër që sot shërben si muze mbikëqyr të gjithë sitin arkeologjik, duke ofruar një pamje të mrekullueshme mbi këtë qytet antik

Shqipëria ka 14 parqe kombëtare dhe një park detar, të cilët mbulojnë një sipërfaqe prej 2,106.68 km², ose rreth 6.7% të territorit të vendit. Këto parqe ofrojnë një terren të larmishëm, të përshtatshëm për eksplorim, relaks, alpinizëm, sporte dimërore dhe aktivitete të tjera në natyrë.
Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, me një sipërfaqe prej 343.61 km², është parku më i madh në Shqipëri dhe ndodhet në qarkun e Gjirokastrës. Megjithatë, edhe parqe të tjera si Lura, Thethi, Valbona, Llogara dhe Dajti janë destinacione të mahnitshme për turistët.
Përveç parqeve kombëtare, Shqipëria ka edhe katër zona të mbrojtura si Ligatina me Rëndësi Ndërkombëtare (Ramsar Sites), me një sipërfaqe prej 98,181 hektarësh. Falë florës dhe faunës së pasur, këto destinacione tërheqin mijëra vizitorë çdo vit.

Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri dhe një nga më të mëdhatë në Detin Mesdhe. Kjo lagunë është e njohur për pyjet e saj të shumta pishe dhe ishujt e vegjël të rërës. Ajo është shtëpi për pelikanin Dalmatian, një specie shumë e rrallë që gjen strehë aty: në fakt, 5% e popullsisë botërore të këtij lloji pelikani ndodhen në këtë lagunë.
Laguna e Karavastasë është pjesë e Listës së Lagunave të Mbrojtura Ramsar, që ka rëndësi ndërkombëtare, dhe është gjithashtu pjesë e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavastë. Ky park është kompleksi më i madh jobregdetar në Shqipëri, me një sipërfaqe prej 22,230.2 hektarësh, duke përfshirë katër laguna me një total prej rreth 5,000 ha.
Në afërsi të lagunës ka një Pyll Pishe Mesdhetar, që përmban një nga faunat më interesante të vendit. Zona e Divjakës-Karavastës ofron kushte të veçanta për akomodimin e shumë komuniteteve bimore dhe specie të kafshëve, ku disa prej tyre janë në rrezik të zhduken globalisht, siç është Pelikanin (Pelicanus crispus Bruch).

Shqipëria ka një pozicion strategjik në Detin Adriatik dhe Jon, brenda Mesdheut, me një vijë bregdetare prej 476 km. Ky bregdet ofron plazhe mahnitëse me ujëra kristal të pastër, të cilat tërheqin mijëra turistë, veçanërisht gjatë verës.
Bregdeti verior, nga Velipoja në Shëngjin, dallohet për plazhet me rërë kurative dhe lagunat pranë Lezhës, ideale për vëzhgimin e shpendëve. Zona qendrore, nga Durrësi në Vlorë, karakterizohet nga plazhe të gjata me rërë dhe disa laguna natyrore. Ndërsa në Rivierën Shqiptare, bregdeti është kryesisht shkëmbor, por ka edhe plazhe me rërë dhe disa ishuj si Sazani, Zverneci, Ksamil dhe Tongo.
Riviera Shqiptare është një nga destinacionet më të preferuara në Evropë falë plazheve të saj ende të paeksploruara. Ushqimi i shijshëm, plazhet e mrekullueshme dhe mikpritja shqiptare e bëjnë këtë bregdet një destinacion që duhet zbuluar!