Kostumografia Shqiptare

October 24, 2023
Informacion, Udhëtime Blog

Veshjet popullore shqiptare janë një prej elementeve më të rëndësishme të kulturës sonë, duke qenë se jo vetëm janë dëshmi e ndryshimeve shoqërore përgjatë historisë, por dëshmojnë një lidhje të periudhave të ndryshme të kulturës shqiptare dhe shërbejnë gjithashtu si trashëgimi shumë e rëndësishme për brezat e ardhshëm. Nga veriu në jug, veshjet popullore shqiptare shfaqen në forma, ngjyra, motive dhe materiale të ndryshme, si një mozaik i madh i jetës së popullit, ku mund të vërehen mjeshtëria e dijebërjes dhe pasuria e pambarimtë e detajeve dhe veçantive të tyre. Përgjatë historisë, veshjet popullore kanë kaluar nga veshje të përditshmërisë në asete kulturore me vlerë muzeale, që së fundmi përdoren veçse në raste të veçanta, gjithnjë duke ruajtur me kujdes ato të vjetrat e duke i riprodhuar me materiale të kohës. Veshjet tona popullore, shumë prej të cilave janë trashëguar prej veshjeve të antikitetit, janë ndikuar në dukje nga motivet dhe format antike, ato mesjetare, por edhe nga elementet e fesë, shpesh duke prodhuar variante të ndryshme. Në çdo rast, veshjet popullore të Shqipërisë përbëjnë një tërësi dijesh dhe vlerash që tregojnë historinë e kombit dhe nuk duhen humbur.

Veshjet popullore të Shqipërisë së Veriut

Shqipëria e veriut dallohet për një larmi të madhe të veshjeve popullore, sidomos tek gratë. Një shembull i mire për të kuptuar larminë e madhe të veshjeve të grave është Dibra, ku burrat kanë një lloj veshjeje, kurse gratë kanë shtatë. Shkodra gjithashtu ka një kostumografi të pasur. Pa dyshim, xhevahiri i trevave të veriut, dhe me gjasë edhe i gjithë kostumografisë shqiptare, është xhubleta katërmijëvjeçare, së fundmi edhe pjesë e listës së trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s.

Xhubleta – Veshje tradicionale me origjinë të lashtë e malësive të veriut, e njohur për fundin në formë kambane të punuar në shajak dhe të zbukuruar me fije spiku dhe motive asimetrike. Dijebërja dhe pjesa tjetër e kostumit me veçantinë unike të fundit të valëzuar e bën këtë kostum vlerë botërore.

Xhoka – Veshje e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa (sipas krahinave), që shkon deri në brez dhe që ka zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhet mbi kokë. Xhokën e shohim në Mirditë, punuar me motive tradicionale dhe ngjyra të ndezura.

Xhybeja – Mantel i gjatë deri në gju, punuar prej cope të kuqe, më rrallë në të kaltërt. E qëndisur dendur me fije ari, shirita e gajtanë po prej ari. Xhybeja ishte pjesë e veshjes së gruas muslimane shkodrane.

Tirqet – Pantallona të burrave të veriut, të bëra me lesh e të njohura për punimin me tegela që i vijn përqark këmbës. Tirqet janë një punim tradicional praktik dhe shumë rezistent.

Xhamadani – është një veshje e sipërme që përdoret prej burrave dhe prej grave. Punohet në shajak, zakonisht tek burrat e gjejmë në ngjyrë të kuqe dhe ka dekoracion të bukur dhe elegant.

Veshjet popullore të Shqipërisë së Mesme

Trevat e Shqipërisë së mesme njihen për një temperament të butë dhe dallohen për butësinë në komunikim dhe në artin e tyre mund të shquash pikërisht këtë. Edhe kostumografia e këtyre trevave mbizotërohet nga larmia e veshjeve të grave. Ndryshe nga veriu, këtu kemi thuajse ngjyra të njëllojta nëpër krahina, si e kuqja, e arta dhe e bardha.

Çitjanet – Veshje e poshtme grash, e qepur si brekushe të gjata prej basme me shumë pala mjaft të gjera, por që ngushtohen te syri i këmbëve.

Jelekët – Jelekët e qëndisur me fije ari përdoren masivisht në Shqipërinë e mesme. Ato janë më së shumti prej kadifeje dhe variojnë nga e kuqja, vishnja, bluja, tek e verdha. Me raste gjejmë edhe zbukurime teminash. Në Elbasan teknika e qëndisjes me fije ari ka një emër të veçantë, gjyrmysh.

Kostumi me jakucë të zezë – Shoqërohet me xhadikë të bardhë dhe jelek të bardhë nën jakucë. Veshje burrash e përhapur në Elbasan dhe malësitë e Krrabës dhe Peqinit.

Veshjet popullore të Shqipërisë së Jugut

Shqipëria e jugut, ndonëse mund të ngjajë e pazakontë, ka mjaft ngjashmëri në kostumografi me Shqipërinë e Veriut, siç janë veshja me këmishë të gjatë e me dollame, pantallonat me tirqe që kanë mbërritur deri në Berat, etj. Sidoqoftë, Shqipëria e Jugut dhe krahinat e saj dallohen për veshjet e veta tipike, ndër të cilat më e njohura mbetet fustanella.

Fustanella – kjo veshje burrash emërtimin e merr nga fundi i bardhë, i bërë me pëlhurë pambuku dhe me shumë rrudha. Deri në fillim të shek. XX kjo mund të gjendej në të gjitha trevat shqiptare, por më pas ajo u kufizua vetëm në fshatrat e Shqipërisë së Jugut.

Poturet – Poturet kanë formën e pantallonave të gjera e të gjata deri në gju. Ndryshe nga veshjet e tjera këto lloj pantollonash kanë mjaft ndikim (në formën e prerjes) nga e njëjta veshje e përdorur në vendet orientale.

Sakoja me sahat – Ka shërbyer si veshje përfaqësuese e vajzave dhe grave të Beratit. E punuar me gërshetime të ndryshme fijesh ari, ka një element të veçantë dekorativ, gjashtë diej në madhësine e një orë xhepi.

Spoonbill