Gjysmë shekulli në komunizëm: Katër vende për të mos harruar

October 24, 2023
Informacion, Udhëtime Blog

Shqipëria ka kaluar një peirudhë të gjatë nën një prej regjimeve më të egra komuniste të Evropës. Për thuajse pesëdhjetë vite, komunizmi krijoi një realitet të vështirë dhe të pangjashëm me jetët normale të shoqërive perëndimore. Këto elemente të ideologjisë totalitare ndodh të materializohen në monumente, ndërtesa, të cilat e marrin vlerën dhe e mbartin simbolikën prej vetë regjimit, ose e fitojnë atë më vonë, si pasojë e proceseve të reflektimit të shoqërisë, duke u ndërtuar me qëllim, ose duke e kthyer historinë që ato mbartin në një mjedis fizik, material, shpirtëror dhe reflektiv të përmirësimit të shoqërisë, duke mos harruar të shkuarën, që e nesëmrja të jetë më e mirë. Herë të tjera, për arsye të ndryshme, të tjera mjedise e objekte mbeten gjurmë e ngrirë e kohës së tyre.

Këto janë pesë vende që i përkasin kujtesës komuniste në Shqipëri.

Burgu i Spaçit

Është e vërtetë se burgu i Spaçit është një plagë e dhimbshme e historisë së shekullit të kaluar, por më shumë se çdo lokacion tjetër i të shkuarës komuniste, mbart dëshmi të jashtëzakonshme të terrorit, dhunës dhe forcës frymëzuese për t’iu kundërvënë antivlerave njerëzore. Burgu i Spaçit, stoli e egërisë komuniste, u kthye në personifikimin e regjmit dhe ideologjisë së përbaltjes dhe shkuljes së dinjitetit njerëzor. Disa kilometra larg Milotit, mes maleve, burgu u ndërtua pranë minierave të bakrit. Të burgosurit politikë vuanin dënime të rënda, mes kushteve çnjerëzore dhe torturave që provokuan revoltën e famshme të Spaçit. Është gjithashtu e vërtetë se revolta u pagua me gjak, por ajo shënoi një pikë kthese. Zërat e bashkuar të të burgosurve thyen për herë të parë brutalitetin e shtetit. Sot, zona e shpallur muze, fal një përvojë tjetërsuese për këdo që e njeh historinë.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”

Ndërtesa ku është sot Shtëpia me Gjethe u ndërtua gjatë viteve ‘90 për të funksionuar si klinikë mjekësore, por gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët e kthyen në një qendër të policisë së tyre sekrete. Në vitet ‘50 ajo pësoi një tjetër ndryshim të rëndësishëm duke u kthyer në degë të Sigurimit të Shtetit, policia sekrete komuniste e kohës. Në vitin 2017, kthimi i saj në muze, u dha mundësinë të gjithëve të shihnin nga afër një anë të pazbuluar të regjimit. Muzeu ekspozon elemente të ndryshme të përgjimeve të Sigurimit të Shtetit, duke shpalosur mjerimin e regjimit të dhunshëm komunist.

Muzetë e bunkerëve

Bunk’ART 1 dhe Bunk’ART 2 janë dy muze modernë që ofrojnë një përvojë mjaft interesante. Pak kontekst: Shqipëria njihet për numrin jashtëzakonisht të madh të bunkerëve të ndërtuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Disa e lidhin numrin e madh të bunkerëve me paranojat dhe frikërat e diktatorit Hoxha. Muzetë e Bunk’ART 1 dhe 2 kanë shfrytëzuar pikërisht hapësirat e dy prej këtyre bunkerëve për të ekspozuar një gamë të gjerë sendesh, fotosh, ambientesh dhe aspektesh të ndryshme të jetës së shqiptarëve në atë kohë, diktatorit dhe ushtrisë së vendit.

Piramida e Tiranës

Ndërtesa e piramidës së Tiranës është kthyer në pikë reference të kryeqytetit dhe në periudha të ndryshme ka fituar ngjyrime të ndryshme, por diçka ka mbetur e njëjtë, rëndësia e saj si objekt monumental i tranzicionit shqiptar drejt modelit të një vendi demokratik. Piramida u ndërtua në vitin 1988 me qëllim që të shërbente si muzeu i diktatorit Enver Hoxha. E stilizuar në fomën e krahëve të shqiponjës, që mund të shiheshin veçse nga lart, piramida kishte një fasadë kryesore me dukje piramidale. Pas viteve ‘90, godina u la në pas dore dhe kaloi në funksione të ndryshme: galeri ekspozimi, qendër konferencash, zyra televizioni, klub nate, etj. E vendosur në një pikë nevralgjike të kryeqytetit, ndërtesa që rrënohej, u bë objekt bisedash nëse duhej të qëndronte ende në këmbë. E prapë, pas disa përpjekjesh, piramida qëndron akoma, tanimë e rindërtuar dhe e shndërruar në qendrën më të madhe teknologjike për të rinjtë në Shqipëri. Me fasadën e bardhë, shkallaret që e karakterizojnë dhe klasat me forma kubash shumëngjyrëshe, piramida është sot një vend i rigjallëruar që i shërben të rinjve dhe të ardhmes.

Spoonbill