Lagunat në Shqipëri

October 24, 2023
Informacion, Udhëtime Blog

Lagunat mbeten monumente natyrore interesante, plot sharm dhe mbulohen nga një atmosferë ndjellëse ekzotizmi, për arsye se ato krijojnë përfytyrimin e një bote të veçuar, ku jeta zhvillohet mes banorëve të pazakontë, brenda peizazheve delikate. Shqipëria është e bekuar, sepse përgjatë truallit të saj fiziko-gjeografik ka pesë shtëpi të rëndësishme rripash bregdetarë, secili i veçantë, marrëzisht i bukur, që ia vlen të vizitohet më shumë se një herë.

Laguna e Karavastasë

Një nga lagunat më të mëdha në detin Mesdhe dhe më e madhja në Shqipëri, Laguna e Karavastasë është një monument unik natyror, e vendosur në qendër të Ultësirës Perëndimore, e cila ndahet prej detit Adriatik nga një rrip rëre i bardhë. Me një bukuri të rrallë, ajo zë thuajse 20% (4300 ha) të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe është rasti i një ekosistemi të veçantë ligatinash ku gjejnë strehë zogjtë shtegtarë. Laguna u siguron ushqim dhe një vend të sigurt për të dimëruar dhe për tu mbarështuar. Laguna e Karavastasë njihet gjerësisht si shtëpia e Pelikanit Kaçurrel (Pelikani Dalmat, Pelecanus Crispus), i cili shërben njëkohësisht si burim turizmi, por edhe si shembulli i shkëlqyer i pasurisë që mbart laguna. Në lagunë gjenden gjithashtu peizazhe me bukuri të rrallë, siç janë Dunat e Oazit të Divjakës, Pisha e Egër etj. Karavastaja duhet të jetë me patjetër në listën e vrojtuesve të zogjve. Në 2019, u llogarit se mbi 240 lloje zogjsh janë hasur në lagunë. Ajo shërben si një pikë e shkëlqyer ekoturizmi, që nxit turistët, vendasit dhe studiuesit të zhvillojnë dinamika interesante. Mund të organizoni udhëtime të vogla me varkë, të shijoni disa ushqime të shijshme me familjen tuaj, të mësoni se si të peshkoni tradicionalisht me banorët vendas ose të ngjiteni në kullën prej 30 metrash prej druri për të dëshmuar në maksimum këtë ansambël të madh të natyrës. Në të gjenden gjithashtu objekte historike interesante, duke plotësuar panoramën shumëplanëshe turistike që ofron kjo copëz parajse natyrore.

Si të shkoni: Nisuni nga Tirana drejtë Durrësit (Aksi SH2). Në rrethrrotullimin me nënkalim drejtohuni Qarkut të Fierit (SH4). Në rrethrrotullimin e Cermës ndiqni SH57 për të mbërritur në vendmbërritjen tuaj.

Laguna e Nartës

Laguna e Nartës është bizhuja e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, e kufizuar me Adriatikun nga duna aluviale, që i japin asaj një pamje identifikuese kombinuar me sfondin rural të fshatit nga edhe merr emrin. Laguna (41.8 km k.) gjendet në segmentin e fundëm jugor të Ultësirës Bregdetare, fare pranë epiqendrës turistike të jugut, Vlorës. E vlerësuar ndërkombëtarisht për rëndësinë në strehimin dhe ruajtjen e specieve të shpendëve, prej 2020 kjo lagunë është bërë shtëpi për mbi 3000 flamingo, të cilët kontribuojnë në krijimin e një panorame të pazakontë natyrore për Shqipërinë si edhe në rritjen e interesit për ta vizituar lagunën. Gjenden gjithashtu edhe specie të tjera, si pulëbardhat. Dy ishuj që gjenden brenda lagunës, veçanërisht Zvërneci, përbëjnë interes të veçantë. Në Zvërnec, që lidhet me tokën nga një urë e drunjtë, gjendet manastiri i Shën Marisë, i cili besohet të jetë themeluar në shekullin X, në mbyllje të mijëvjeçarit të parë. Historia e ishullit është e pasur dhe e ndërlikuar, për shkak edhe të përdorimit të tij të shpeshtë gjatë periudhës së regjimit totalitar si vend burgimi. Rekomandojmë të vizitohen dunat e Nartës, formacione ranore mbresëlënëse, si edhe të shkoni për kamp, që i jep këtij destinacioni një natyrë më familjare. Potenciali turistik i lagunës premton të jetë shumë më i madh nga ç’kemi parë deri tani, ndaj bëni mirë ta përjetoni para se të kthehet në një pikë kryesore turistike.

Si të shkoni: Nisuni nga Tirana për në Vlorël. Në rrethrrotullimin “100 Vjetori i Pavarësisë” merrni daljen e pare.

Laguna e Butrintit

Kjo lagunë vjen në formën e një liqeni të kripur (16.4 km k.) dhe shërben për të kuptuar më së miri se si relievi dhe peizazhi natyror ndryshojnë duke e tjetërsuar faqen e botës. Para 3000 vitësh, kjo lagunë ishte një gji detar. E gjendur në Sarandë, fare pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, laguna përfshihet nën radarin magjepsës të misterit dhe madhështisë që evokojnë rrënojat e qytetit antik greko-romak. Peizazhi i paqtë, i gjelbërt, identifikohet me tingujt e bulkthave, kanarinave dhe garadelinave, që së bashku me kurorën e kallamishteve përfaqësojnë disa prej specieve kryesore të zonës. Në këtë zonë, jetojnë 14 specie në rrezik për tu zhdukur. Nëse burimet historike na thonë se vetë Kleopatra ka pushuar në Butrint, mund të besojmë se ka mundësi që edhe të ketë bërë banjo dielli pranë liqenit. Por Butrinti ka mbretëreshën e vet. Ajo është midhja dhe sigurohuni të jeni atje në fillim të verës për të përjetuar Festën e Midhjes, që çel sezonin turistik në Sarandë.

Si të shkoni: Ju rekomandojmë të ndiqni rrugën nacionale Sarandë-Ksamil. Nisja nga Tirana.

Laguna e Patokut

Me një histori që shkon mbi 12,000 vite prapa në kohë, Laguna e Patokut sot, është e katërta e llojit të saj, teksa e pesta po zhvillohet fare pranë saj. Kjo zonë dallohet për një dinamizëm të lartë të larmishëmrisë biologjike. Kabinat e drunjta mbi lagunë mund t’ju kujtojnë peizazhet e ishujve të Paqësorit, kurse juve që jeni të lidhur me historinë, mendja mund t’ju shkojë tek vendbanimet e palafiteve. Algat e murrme e të gjelbërta dhurojnë shfaqje mbi sipërfaqen e ujit, formacionet e tyre të rrjedhshme në lëvizje janë me të vërtetë interesante. Çka mund t’ju bëjë përshtypje është se kjo luginë është nga më të mëdhatë në vend e ndarë në disa zona, ku laguna e brendshme dhe e jashtme janë thuajse 480 hektarë. Tashmë prej vitesh shtëpia e peshkatarëve të zonës dhe jo vetëm, laguna është nga më të mira vende për të shijuar një drekë të pasur në shije dhe atmosferë.

Si të shkoni: Udhëtoni nga Tirana drejt Fushë-Krujës. Në rrethrrotullimin e FK merrni rrugën për Laç dhe në rrethrrotullimin e rradhës ktheni djathtas.

Laguna e Kune-Vainit

Kjo lagunë gjendet në Lezhë dhe mbahet me të drejtë si një margaritar i bukurive natyrore shqiptare, e pasur në forma relievi, shumëllojshmëri speciesh bimore e shtazore. 190 prej tyre janë pjesë e listës së kuqe të Shqipërisë. Fakt interesant: gjatë kohës së pushtimit Italian, ky ishte vend i parapëlqyer i pushtetarëve italianë, që ndërtuan edhe një resort pushimi (ende funksional), në këtë zonë.

Si të shkoni:

Si të shkoni: Udhëtoni nga Tirana drejt Fushë-Krujës. Në rrethrrotullimin e FK merrni rrugën për Laç, ecni drejt rrugës Bllane-Lezhë, kthehuni djathtas dhe ndiqni rrugën Rrillë-Tale.

Spoonbill