Shengjergj

Një Aventurë në Shëngjergj

November 5, 2020
Udhëtime Blog

Nëse jeni në kërkim të aventurës nuk ka nevojë të shkoni më larg sesa një orë larg Tiranës, në Shëngjergj. Një krahinë e përbërë nga disa fshatra në malësitë e Tiranës dhe me një natyrë të mrekullueshme. E gjitha kjo, e eksploruar në një mënyrë mjaft të veçantë, me fuoristrada nëpër rrugët e maleve. Një mënyrë mjaft e mirë kjo për të qenë më pranë natyrës. Çfarë do t’ju presë në këtë aventurë në Shëngjergj?

Në kërkim të ujëvarës

ujevara e shengjergjit

Një pikë turistike mjaft e famshme në këtë zonë është ujëvara e Shëngjergjit. Me një ecje prej 2 km, nga fshati tek ujëvara, mes freskisë dhe gjelbërimit do t’ju shfaqet para syve kjo mrekuli e vogël që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Duke ardhur nga Mali me Gropa, uji bie nga një lartësi prej 30 metrash dhe vazhdon më pas me përroin e Shëngjergjit. Një oaz i vërtetë që për shumë vite nuk njihej nga turistët. Sot është kthyer në një magnet jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt.

Pas ujëvarës, përgatituni për eksperiencën tuaj off-road.

Në brendësi të pyjeve dhe maleve

Në një rrugë të paasfaltuar, mes natyrës së paprekur, fillon rrugëtimi jonë në eksplorim të maleve dhe pyjeve të zonës. Një zonë e pashkelur e Shqipërisë së Mesme, me peizazhe fantastike. Do të kaloni mes lumenjve dhe varieteteve të ndryshme të bimevë, të cilat gjatë vjeshtës marrin një pamje spektakolare me ngjyrat e kuqërremta. Për një moment do të harroni gjithçka dhe thjesht do të mbusheni me ajrin e pastër dhe pamjet mbresëlënëse. Një eksperiencë shumë e veçantë dhe ndryshe, jo vetëm për adhuruesit e aventurave off-road, por për këdo që do të provojë diçka të re. Mos humbisni këtë mundësi për t’u bërë një me natyrën dhe për t’u karikuar me energji të reja.

Spoonbill