Si të kaloni një ditë në Prizren?
I pozicionuar në një luginë rrëzë maleve të Sharrit, gjendet qyteti më i veçantë i Kosovës: Prizreni. Ndryshe, Prizreni mund të quhet edhe “kryeqyteti kulturor” i Kosovës. Një qytet i vogël, por me një rëndësi të madhe pasi ka ruajtur identitetin e tij, ku e kaluara bashkëjeton me të tashmen. Prandaj, nëse po mendoni ta vizitoni, kjo është alternativa jonë se si mund të kaloni një ditë në Prizren.
Vizitoni shtëpinë muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shënoi pikën e fillimit të nacionalizmit modern shqiptar. Shtëpitë e ulëta ku anëtarët zhvillonin mbledhjet e tyre, sot janë kthyer në muze. Sigurisht, nuk duhet humbur vizita ku do të përjetoni një pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare.
Një shëtitje në Çarshinë e Vjetër
Përgjatë historisë Prizreni është njohur me kultura të ndryshme të cilat shihen edhe në disa nga pjesët më të rëndësishme të qytetit. Çarshia e vjetër, e ndërtuar rreth shek. XV, e shtruar me kalldrëm e me rrugica të ngushta. Gjatë një shëtitjeje në këtë zonë do të dalloni ndikimin e arkitekturës otomane, duke kaluar në sheshin e Shatërvanit apo xhaminë e Sinan Pashës. Gjatë gjithë kohës do të shoqëroheni nga rrjedha e lumit Bistrica (Lumëbardhi), që i jep zemrës së Prizrenit një pamje mjaft të veçantë.
Fotografoni Urën e Gurit
Duke qenë se lumi kalon mes për mes Prizrenit, përgjatë historisë janë ndërtuar shumë ura. Megjithatë, më e veçanta është Ura e Gurit. Një urë e cila është shembulli perfekt për të treguar vjetërsinë e këtij qyteti. Fillimisht e ndërtuar në shek. XVI në qendrën e qytetit të vjetër. Sigurisht, përgjatë shekujve ka patur dëmtime dhe është rikonstruktuar, por megjithatë mbetet simboli i qytetit të Prizrenit.
Shijoni pamjet fantastike në Kalanë e Vjetër
E ndërtuar mbi një kodër gjendet Kalaja e vjetër e ndërtuar rreth shek. XIII nga Perandoria Bizantine. Në vitin 1948, kalaja u quajt Monument Kulture dhe sot është një nga atraksionet turistike kryesore në prizren. Përveç rëndësisë historike, me këtë vizitë do të shijoni edhe pamjet më të bukura të qytetit të Prizrenit
Provoni ushqimin tradicional
Sidoqoftë, nuk do t’ia ndieni mungesën as kafeneve apo restoranteve që gëlojnë gjatë gjithë ditës. Përgjatë Lumëbardhit, do të keni mundësi të shijoni ushqimet tradicionale kosovare, si edhe ato bashkëkohore. Një gërshetim mjaft i këndshëm mes së kaluarës dhe modernes, që nuk duhet humbur.