Ujëvara e Sotirës: Një Copëz e Përsosur e Shqipërisë
Ujëvara e Sotirës, vetëm 16 km larg qytetit të Gramshit është një copëz e Shqipërisë e cila meriton të vizitohet. Për një kohë të gjatë ky destinacion turistik nuk ishtë në radarin e turistëvë, si vendas ashtu edhe të huaj. Vetëm dy apo tre vitet e fundit është e dukshme se është rritur interesi për të vizituar këtë përsosmëri të natyrës.
Çfarë do të gjeni atje?
Padyshim një nga ujëvarat më të bukura të Shqipërisë, e cila gjendet në rrëzë të Malit të Tomorrit. Veçantia e saj qëndron në faktin se përbëhet nga tre burime që depërtojnë malin nga lartësi të ndryshme (20-100 m), duke krijuar pamje të mrekullueshme. Uji që bie prej saj më pas formon lumin me të njejtin emër. Ky kompozim i paparë i elementëve si uji, shkëmbinjtë dhe bimët, japin gjithçka ju duhet për qetësinë tuaj mendore dhe shpirtërore. Gjithashtu, kjo zonë ofron edhe mundësi për zhvillimin e aktiviteteve si kamping apo piknik në pjesën e lëndinës mbi ujëvarë.
Për më tepër fotot flasin vetë!
Rruga drejt Ujëvarës së Sotirës
Për të mbërritur tek Ujëvara e Sotirës do të duhet të udhëtoni rreth 16 km nga qyteti i Gramshit në rrugën drejt Malit të Tomorrit. Është një rrugë plot me pengesa dhe disi e vështirë, por shoqërohet me peizazhe që do t’ju mbeten gjatë në memorie.
Më pas do të vazhdoni ecjen më këmbë rreth një orë nga fshati Sotirë deri tek ujëvara. Sa më shumë që i afroheni, aq më shumë do të dëgjoni zhurmën karakteristike, aq të ëmbël të ujëvarës. Pasi të mbërrini, mund të vazhdoni të depërtoni akoma më shumë drejt ujëvarës nëse keni pak shpirt aventuresk… dhe këpucët e përshtatshme, sigurisht! Kjo pasi terreni më në brendësi fillon të bëhët pak i rrëshqitshem.
Vizita në këtë destinacion turistik është një mënyrë mjaft e mirë për t’u lidhur më shumë me natyrën e paprekur dhe qetësinë që ajo fal. Klikoni këtu për të zgjedhur udhëtimin turistik.