Eksplorim i Maqedonisë së Veriut: Shkupi dhe Liqeni Matka
Në udhëtimin tonë të rradhës, vëmendjen e kemi kthyer nga Maqedonia e Veriut. Përveç kryeqytetit, do t’ju sjellim edhe një nga zonat më të bukura jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon. Shkupi dhe liqeni Matka- një udhëtim që nuk duhet humbur!
Matka
Matka, një nga pjesët më të bukura të Maqedonisë Veriore. Një kanion i rrethuar me kisha dhe manastire mesjetare. Me një sipërfaqe rreth 5000 ha, vetëm 15 km larg Shkupit, që padyshim ia vlen të vizitohet. Kjo zonë është e njohur edhe për një numër të madh speciesh të ndryshme endemike. Por, çfarë aktivitetesh ju ofron liqeni Matka?
Mund të filloni me një ecje të lehtë duke eksploruar kanionin dhe duke shijuar natyrën përreth. Gjatë kësaj shëtitjeje mund të ndaloni edhe në njërin prej manastireve që mbartin një vlerë të madhe historike, kulturore dhe artistike. Më pas, ajo që sugjerohet është lundrimi në liqenin Matka. Në këtë mënyrë keni mundësinë edhe të vizitoni njërën nga shpellat e kanionit. Më e famshmja është shpella Vrelo, e konsideruar si shpella nënujore më e thellë në Europë dhe në botë. Deri tani janë zbuluar vetëm 240 metra thellësi dhe eksplorimi vazhdon.
Pas gjithë kësaj eksperience në natyrë, nisemi drejt kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut…
Një kryeqytet i pazakontë si Shkupi
Shkupi, një qytet shumë i vjetër e me një histori të pasur. Këtë e vërtetojnë gjurmët që nga epoka e Neolitit e deri tek perandoria otomane dhe ajo bizantine. Sot, ky qytet është kthyer në një destinacion mjaft të këndshëm dhe në kryeqytetin më të pazakontë në Europë.
Kjo për shkak të ndërthurjes së stileve të ndryshme të ndërtesave dhe objekteve që do të gjeni nëpër rrugët e Shkupit. Diçka mjaft interesante është fakti që në Shkup gjenden rreth 300 statuja dhe prandaj ka marrë emrin “Qyteti i Statujave”. Kjo ka ardhur si pasojë e tërmetit në vitin 1963 që shkatërroi një pjesë të madhe të Shkupit. Rindërtimi solli një frymë të re dhe shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shkupit. Atë do ta dalloni kryesisht në sheshin e shatërvaneve, “Aleksandri i Madh” dhe në Urën e Artistëve.
Nga ana tjetër, do të ndesheni edhe me pazarin e vjetër ose “Çarshija”. Ajo ka qenë qendra e tregtisë në Shkup që nga shek. XII. Atje do të gjeni një frymë më tradicionale me kisha, xhami, hamame, si dhe dyqanet me suvenire e produkte artizanale. Gjithashtu, të shtrirë mbi lumin Vardar do të gjeni edhe Urën e Gurit. Një urë që daton që nga periudha otomane (shek. XV) dhe është prishur e rindërtuar shumë herë përgjatë viteve.
Ky kombinim kaq ndryshe i këtyre pjesëve të qytetit, e bëjnë Shkupin një destinacion mjaft interesant dhe tërheqës për vizitorët.
Klikoni këtu për të zgjedhur udhëtimin Shkupi dhe liqeni Matka!