Razem

Një Vizitë në Razëm

November 5, 2020
Udhëtime Blog

Jeni të lodhur nga rutina e përditshme? Doni të largoheni nga zhurma e qytetit? Arratisja jonë e rradhës është një vizitë në Razëm. Vetëm 43 larg qytetit të Shkodrës shtrihet pika turistike e Razmës, e cila ndodhet në zemër të Alpeve shqiptare. nën këmbët e malit të Veleçikut.

 

Një rrugë panoramike

RazemRruga për në Razëm është mjaft panoramike, me fshatrat e vgjël që duken rrëzë maleve. Në dy anët e saj shihen fushat e mbjella me perime dhe agrume, si dhe me çaj sherebeli, aroma e këndshme e të cilit ndjehet në ajër. Gjatë ngjitjes në rrugën malore, në afërsi të zonës së Reçit, nuk mund të humbësh pamjet spektakolare të maleve nga njëra anë, fushave me detin në sfond përkundrejt.

Me një lartësi 900 metra mbi nivelin e detit, Razma shtrihet mbi një pllajë karstike, ku mahnitesh me kontrastet e relievit, nga majat e maleve në lëndinat dhe kullotat alpine që shtrihen mbi gropat akullnajoro-karstike. Malet janë të mbuluara me pyje të dendur ahu dhe pishe, që të lënë pa fjalë me madhështinë, ngjyrat dhe bukurinë e tyre. Veçanërisht në stinën e vjeshtës, sytë të kënaqen me larmishmërinë e ngjyrave të arta të saj.

Një pikë turistike interesante gjatë gjithë vitit

RazemRazma është një pikë klimaterike, shumë e përshtatshme për të zhvilluar turizmin malor në çdo stinë të vitit, me ajrin e saj të pastër e të freskët, pistat e bollshme për ski, alpinizmin dhe pamjet magjepsëse.

Fushat e Razmës, Troshanit dhe Fusha e Zezë paraqesin interes për t’u vizituar, pasi në to gjenden shpella të bukura karstike. Në veri të Razmës shtrihet mali i Veleçikut (1724 m), ndërsa në lindje të saj shtrihen malet e Kunorës (1713 m) dhe Zagorës (1862 m), ku paraqesin interes të veçantë për alpinistët: shpella e Pëllumbave, shpella e Shtogut, shpella e Lugjeve, si dhe burimet e grykës së Lugjeve me ujë akull të ftohtë e të kulluar. Gjatë ngjitjes për në shpellën e Pëllumbave, e cila e ka marrë këtë emër për shkak se dikur janë gjetur shpendë që jetonin në të, mund të shijohen jo vetëm pamjet e maleve, por edhe të bregdetit të Velipojës dhe liqenit të Shkodrës.

Klikoni këtu për të zgjedhur udhëtimin tuaj për një vizitë në Razëm.

Spoonbill