Mali i Rrencit

Mali i Rrencit: Një Eksperiencë në Hiking

November 21, 2020
Udhëtime Blog

Në udhëtimin e rradhës kemi menduar për të gjithë të apasionuarit pas hiking, por edhe për ata që pëlqejnë të provojnë eksperienca të reja. Hiking në Malin e Rrencit, një masiv malor mes Shëngjinit dhe Velipojës rreth 387 m mbi nivelin e detit. Një ecje nëpërmjet së cilës do të njiheni jo vetëm me natyrën e zonës, por edhe me elemente nga historia dhe kultura.

Natyrë dhe pamje mbresëlënëse

Rrugëtimi fillon nga Shëngjini, një plazh dhe port mjaft i njohur i Shqipërisë. Duke vazhduar ngjitjen për në malin e Rrencit do të filloni të shikoni pamjen që bëhet më e bukur me çdo hap që ju hidhni. Gjatë ecjes nëpër pyll vihet re bimësia e larmishme e zonës mes së cilës gjenden edhe bimë medicinale. Përgjatë gjithë hiking, nëse hidhni shikimin poshtë, do të vini re se po shoqëroheni nga kaltërsia e detit Adriatik. Nëse dëshironi mund të pushoni nëpër livadhe. Në vazhdim të rrugës, do t’i afroheni gjithnjë e më shumë një tjetër plazhi të njohur për bukurinë e tij, Rana e Hedhun. Duke vazhduar drejt majës së malit të Rrencit, përpara jush do të shfaqet një peizazh që fillon nga Kepi i Rodonit e deri në Ulqinin e Malit të Zi. Një arratisje në natyrë që me të vërtetë do t’ju mbushi me energji pozitive.

Histori dhe zbulim i rrënjëve Ilire

Mjaft interesante janë edhe objektet që do të hasni rrugës, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për historinë e vendit tonë. Një prej tyre është kisha 600-vjeçare e Shën Nikollit, e cila u rindërtua nga banorët e zonës gjatë shekullit XVII. Gjithashtu, gjenden edhe rrënojat e kishës së Shën Pjetrit. Diçka tjetër që mund të ndeshni gjatë hiking, janë edhe tumat piramidale me origjinë ilire me një vjetërsi prej rreth 3500 vitesh. Për adhuruesit e hitorisë është një udhëtim që jep mundësinë e një kombinimi të mrekullueshëm me natyrën dhe aktivitetin fizik.

Spoonbill