Liqenet në Shqipëri i gjen në të gjitha llojet, përmasat dhe vendodhjet: presin vetëm që ju t’i shijoni!

October 25, 2023
Informacion, Udhëtime Blog

Liqenet në Shqipëri i gjen në të gjitha llojet, përmasat dhe vendodhjet: presin vetëm që ju t’i shijoni!

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të vjetër në Evropë dhe në botë. Vjetërsia e tij përllogaritet mes 4 deri në 10 milionë vite i vjetër dhe është me origjinë tektonike. Ujërat e gjelbërta janë shtëpi e mbi 200 specieve endemike dhe UNESCO e ka shpallur trashëgimi botërore. Që në krye të kohërave, liqei ka shërbyer si burim jete, rreth tij janë zhvilluar komunitete, qytetërime dhe sot shtrihen dy shtete moderne. Ky është liqeni më i thellë në Ballkan. Liqeni ofron pamje spektakolare dhe në Pogradec shfrytëzohet si plazh. Mund të kaloni pushimet e verës, të shkoni për të kaluar një ditë të qetë, për të shijuar kuzhinën fantstike të zonës, për të peshkuar, apo për të vozitur me barkë në liqen.

Liqeni i Shkodrës

Liqeni më i madh i Ballkanit, ai ndahet me Shqipërisë dhe Malit të Zi. Liqeni e merr emrin nga qyeti i Shkodrës që shtrihet në skajin e tij jug-lindor. Ai ofron një mundësi jo të zakontë për të vrojtuar 270 lloje shpendësh, thuajse 80% e shpendëve që ndodhen në Shqipëri, mund të gjenden këtu. Liqeni është i rrethuar nga majat e larta, ku vëmendjen e tërheqin Bjeshkët. Në brendësi të liqenit gjendet zambaku i bardhë i liqenit, një element tërheqës që duhet vizituar. Kështu, ju jepet mundësia të lundroni edhe me kanoe. Për adhuruesit e peshkimit, do të ishte me të vërtetë një përvojë e veçantë të peshkonin në një masiv të tillë ujor. Prej liqenit mund të shijohet edhe pamja e Rozafës shekullore. Mos harroni, duhet me patjetër të provoni tavën e krapit.

Liqeni i Komanit

Kujt mund t’ia merrte mendja se krijimi i një ujëmbajtësi artificial do të sillte krijimin e një peizazhi si të fjordeve skandinave në zemër të Shqipërisë së Veriut. Liqeni i Komanit shpalosh peizazhin vertikal më të veçantë në vend, në një rrugëtim të pashoq, ku të duket se mund të prekësh më dorë majat e alpeve. Nga këtu mund të shihet edhe Jezercca. Pa dyshim, që përpos peshkimit dhe larjes në bregun e liqenit, përvoja më e veçantë është rrugëtimi me target, që të çon nga një anë në anën tjetër.

Liqenet e Lurës

Liqenet e Lurës janë pjesë e parkut kombëtar Lurë – Mali i Dejës. Kur dëgjohet emri Lurë, mendja të shkon tek 12 liqenet akullnajore të njohur si “Liqenet e Kunorës së Lurës”, një grupim unik i këtyre masivëve ujorë me bukuri të rrallë që çuditërisht kanë frymëzuar kohë pas kohe artistë, si Kadare që shkruan: “Askush nuk mund ta ndajё Lurёn nga liqenet e saj. Prandaj, kush udhёton drejt Lurёs, udhёton drejt liqeneve tё saj…Befas na shfaqen liqenet, njёri pas tjetrit, ma tepёr tё gjelbёr se tё kaltёr tё rrethuar nga malet dhe pishat. Si gjithmonё, kur ndodhesh pёrpara gjёrave tё bukura, ёshtё vёshtirё t’i pёrshkruash. Fjalёt janё tё zbehta pёrpara ujit dhe gjelbёrimit qё pёrbёjnё gjithё ato nuanca tё kёsaj bukurie tё gjallё.” Pamjet që vizitorët nxisin se nuk duhen humbur janë zambakët e bardhë gjethegjerë mbi liqen, apo livadhet e mrekullueshme.

Liqenet e Valamarës

Të vetmet liqene akullnajore në jug të vendit, këto janë një grup liqenesh që të ftojnë të arratisesh nga vrulli i jetës urbane. Ato gjenden në malin e Valamarës në lartësitë 2200 metra mbi nivelin e tokës, në fshatin Shënepremte në Gramsh. Këto liqene dallohen për ujërat e kristalta dhe të ftohta. Me pamje të mrekullueshme, besojmë se të gjithë atyre që ju pëlqen natyra alpine, do të duan t’i vizitojnë këto liqene.

Liqenet e Dumresë

Dumreja dallohet për 86 liqenet e veta karstike, një rast i rrallë dhe unik në Shqipëri, ku liqenet krijojnë disa pamje fantastike në harmoni me natyrën përreth dhe njëra-tjetrën. Pamja e tyre e bukur është gjithçka ju duhet për tu çlodhur.

Liqeni i Bovillës

Ky është liqeni më i ri në moshë i kësaj liste. ‘Është vetëm 15 vjeç”. Liqeni i Bovillës është krijuar si pasojë e ngritjes së një dige në lumin Tërkuza dhe furnizon Tiranën me rreth 50% të uji të pijshëm. Natyra rreth e përqark liqenit krijon një panoramë me bukuri mahnitëse dhe terreni është i shkëlqyer për të bërë ngjitje në shkëmbinj. Gjithsesi duhet të bëni kujdes, sepse zona njihet për erozion dhe rrëshqitje.

Liqenet e Funarit

Katër liqenet e Funarit filluan të ndërtoheshin nga dora e njeriut në 1967. Ato rrethohen nga pyjet e Funarit dhe krijojnë një oaz freskie në periferi të Elbasanit. Ambienti i paqtë, klima e shëndetshme dhe freskia e liqeneve janë ideale për të bërë piknik, por gjithashtu mund të peshkoni dhe të kaloni kohë cilësore me familjen tuaj.

Liqeni i Bunit

Liqeni i Bunit bën pjesë në grupin e liqeneve akullnajore të Jezercës. Ato ndodhen në anën veriore të malit dhe liqeni i Bunit shtrihet në mbi 1794 metra lartësi. Ujërat e tij të kristaltë në nuancat e një të gjelbërte smeraldi i kanë falur titullin e syrit të kaltër të Veriut.

Liqeni i Ulëzës

Liqeni i Ulëzë është pjesë e ekoparkut të Ulëzës, i vetmi ekopark në vend. Liqeni është një ekosistem i rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe një pikë tursitike, potenciali i së cilës rritet dita-ditës. Vendi është ideal për ecje në natyrë, not, peshkim, plazh, apo shëtitje me varkë.

Liqeni i Fierzës

Ujëmbajtësi i Fierzës është një tjetër shembull i mirë se si një vepër e krijuar nga dora e njeriut mund të kthehet në një pikë me potencial të lartë turistik. Sipërfaqja e madhe e liqenit, natyra e paqtë dhe freskia e zonës janë ideale për kanoziëm.

Liqenet e Prespës

Liqenet e Prespës janë që të dyja pjesë e parkut ndërkufitar mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Liqenet janë një zonë e rëndësishme e ruajtjes së biodiversiteti dhe rrethohen nga një natyrë e paqtë. Zona ofron mundësi për turizëm historik, xhiro me varkë dhe peshkim.

Spoonbill