Eposi i Kreshnikëve: Një Pasuri nga Veriu i Shqipërisë
Eposi i Kreshnikëve, një cikël këngësh me motiv legjendar që shoqërohet me lahutë e në qendër ka heroizmat e Mujit dhe Halilit. Konsiderohet si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore jomateriale shpirtërore, e megjithatë ende nuk ka marrë statusin që meriton nga UNESCO. Por, ku qëndron rëndësia e këtyre këngëve?
Prejardhja e Eposit të Kreshnikëve
Eposi i Kreshnikëve është një thellim në botëkuptimin e zonave të Shqipërisë veriore. Pavarësisht se këto këngë kanë kaluar gojë më gojë, brez pas brezi, mendohet të jenë krijuar si rreth kohës para pushtimeve sllavenë Ballkan. Kryesisht është kënduar në zonat e Malësisë së Madhe si Theth, Vermosh, Lëpushë, Selcë, Tamarë, Hoti, Gruda, Bogë, në Pukë e Dibër, si edhe në Kosovë kryesisht në rrafshin e Dukagjinit: Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Deçan, Istog e Suharekë. Megjithatë, sot Eposi njihet në të gjithë Shqipërinë e më gjerë për vlerat e tij kulturore dhe gjuhësore. Ai është mbajtur gjallë nga rapsodët e lahutarët e këtyre anëve dhe i ka rezistuar pushtimeve të shumta ndër shekuj.
Për çfarë flitet në Eposin e Kreshnikëve?
Eposi ka një karakter epiko legjendar ku mesazhi kryesor mbetet rezistenca ndaj armiqve në emër të lirisë. Me një përdorim fantastik të gjuhës popullore si një mjet arti, vlerat e tij kanë arritur të tërheqin vëmendjen edhe të studiuesve të huaj. Veçanërisht, vlen të përmenden përkthimi në gjuhën angleze nga Robert Elsie, si edhe ruajtja në një nga koleksionet e Universitetit të Harvardit. Gjithashtu, Eposi na sjell një përshkrim të përkryer të zonave të veriut dhe mënyrës së jetesës me bukuritë, por edhe vështirësitë e terrenit. Pa lënë mënjanë edhe elementet mitologjike si Zanat dhe Orët e maleve, këngët e Eposit i shtojnë edhe më shumë misticizmin atij mjedisi. Jo më kot sot kjo pjesë e Shqipërisë është një destinacion turistik i cili, ashtu si në ato vargje, ka magjepsur çdo vizitor