Festivali Folklorik Kombëtar i Gjrokastrës: festa e kulturës shqiptare
Festivali Folklorik Kombëtar është ngjarja më e rëndësishme e dimensionit kulturor në Shqipëri. Prej shumë vitesh, festivali nuk mund të kuptohet pa emrin e qytetit që e mikpret, Gjirokastrës, por historia e tij është më e hershme dhe fillon në një kohë kur qyteti muze ende nuk i kishte marrë përmasat sinonimike me të.
Historia
Gjurmët e para që krijojnë panoramën e asaj që do të kthehej më pas në Festivalin Folklorik Kombëtar i gjejmë në vitin 1946. Tirana mikpriti për herë të parë në këtë vit “Festivalin Kombëtar të Valleve dhe Këngëve Popullore”. Kjo ngjarje vazhdoi të mbahej në Tiranë gjatë viteve 1949, 1952, 1957, 1959. Më pas, në 1966 qyteti mikpritës bëhet Elbasani dhe një vit më vonë Lezha.
Deri në këtë moment në kohë “Festivali Kombëtar i Valleve dhe Këngëve Popullore” shërbeu si shtysa e zgjerimit të njohjes së kulturës së trevave shqiptare. Ky festival pati një meritë shumë të madhe: i dha për herë të parë zë kulturës, folkut, traditës, duke i kthyer në një medium të prekshëm nga të gjithë.
Duke parë përmasat dhe pëlqyeshmërinë që kishte marrë kjo ngjarje, në vitin 1968, festivali u zhvendos në kalanë e gurtë të Gjirokastrës, sharmi dhe bukuria e së cilës edhe sot ngjallin atmosferë dhe i falin tjetër ndjesi festivalit. Ngjarja e 1968-ës u quajt “Festivali Kombëtar i Këngës, Muzikës dhe Valleve”. Gjirokastra ishte stacioni i parë jugor i festivalit dhe mbeti i tillë. Ky konsiderohet Festivali i parë Folklorik Kombëtar. Prej këtij edicioni, festivali filloi të organizohej çdo pesë vite në kalanë historike (1973, 1978, 1983, 1988).
Në vitin 1995 festivali u mbajt në Berat, një tjetër qytet me histori të jashtëzakonshme.
Në vitin 2000, mijëvjeçari i ri e riktheu Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Ngjarja më e madhe e kulturës shqiptare vazhdoi të zhvillohej në 2004, 2009 dhe 2015. Pati një shkëputje prej tetë vitesh.
Qëllimi i festivalit
Si ngjarja më e madhe që lidhet me trashëgiminë kulturore jomateriale, festivali ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e larmisë së vlerave folklorike të mbarë shqipërisë dhe tokave ku zhvillohet kultura shqiptare. Këtu përfshihen të gjithë elementet etnofolklorike: vallet, këngët, kostumet, ritet etj. Pjesë e këtij qëllimi është edhe promovimi i vlerave të mëdha të Gjirokastrës si simbol mbarëkombëtar i i trashëgimisë kulturore jomateriale.
Festivali sjell afër me brezat e rinj, por jo vetëm kulturën mijëravjeçare të zhvilluar prej popullit shqiptar.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023
Pas tetë vitesh mungesë, festivali u rikthye në shtëpinë e vet majë kalasë. Kurora e skenës këtë vit i bëntë homazh artizanëve shqiptarë që trashëgojnë në breza traditën e endjes. Një qilim me ngjyra të ndezura, thurur nga dhjetëra kilometra fije, ideuar nga artistja spanjolle Ines Esnal. Festivali pati sukses dhe pjesëmarrje të madhe. U mbajt nga datat 24 qershor deri në 1 korrik.