10 kala dhe fortifikime në Shqipëri që nuk duhen lënë pa vizituar

October 20, 2023
Informacion, Udhëtime Blog
Kalaja e Gjirokastrës

Një nga kalatë mesjetare më të rëndësishme të Shqipërisë, kalaja e Gjirokastrës dallon për përmasat e saj dhe pamjet e mrekullueshme që ofron. E bukur për t’u parë dhe për t’u shkelur, kalaja e Gjirokastrës jeton mes të vërtetës dhe legjendës. Emri i kalasë thuhet të jetë Argjiro, në nder të legjendës së princeshës arbërore që u hodh në humnerë për t’u shpëtuar pushtuesve osmanë. Brenda kalasë mund të vizitohen muret e larta, kulla e sahatit të qytetit, por edhe muzeu i armëve të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, apo skena e Festivalit Folklorik Kombëtar. Kalaja e Gjirokastrës është një nga simbolet më të rëndësishme të qëndresës shqiptare antiosmane.

Kalaja e Rozafës

Rozafati, kalaja legjendare e Shkodrës që hedh vështrimin mbi lumenjtë Buna e Drin, është e lidhur ngushtësisht me legjendën e sakrificës dhe dashurisë të nënës që u muros e gjallë si flijim për ta mbajtur kalanë në këmbë. Zona historike e kalasë dëshmon për ndërtime në periudha të ndryshme, prej antikitetit deri në mesjetën e vonë. Përveç mureve të larta, në kala gjenden rrënojat e një xhamie, depozitave të ujit, si edhe muzeu i kalasë. I gjithë kompleksi përbën parkun arkeologjik të Shkodrës. Kalaja gjendet majë një kodre shkëmbore në hyrje të qytetit dhe është simboli më i rëndësishëm i tij.

Kalaja e Beratit

E ndërtuar rreth shekullit IV para Krishtit, e njohur me emrin e lashtë të qytetit: Antipatrea, kalaja e Beratit qëndron si kurora e qytetit të gurtë majë një kodre që ofron pamje të jashtëzakonshme të lagjeve historike të qytetit dhe lumit Osum. Kalaja shërben edhe sot si qendër banimi, brenda saj gjendet lagjja historike e qytetit, por gjithashtu Muzeu Ikonografik “Onufri”, si edhe shumë kisha të vjetra të periudhës bizantine që ia vlejnë të vizitohen.

Kalaja e Elbasanit

Kalaja e Elbasanit është nga të paktat kala fushore të Shqipërisë, dhe nga më të mëdhatë e llojit të saj në rajon. Ndonëse pamja e saj e tanishme lidhet me konfigurimin që romakët i bënë, gjurmët tregojnë për një fillesë më të hershme të ndërtimeve. Kalaja ka pasur njëzetekatër kulla dhe shkëlqimin e saj e ka përjetuar gjatë periudhës romake, kur qyteti i athershëm me emrin Skampa shërbente si stacioni kryesor i rrugës Egnatia në brendësi të territoreve shqiptare. Sot, veçse një prej murve ka mbetur në këmbë, por brenda kalasë mund të vizitohen pjesë të lagjes historike. Brenda kalasë gjenden kisha dhe xhamia më e rëndësishme e qytetit.

Kalaja e Lezhës

Fortifikimi i kalasë së Lezhës ngrihet mbi rrënojat e Akrolisit antik që daton prej kohëve të shkuara të antikitetit. E vendosur në një kodër që dominon qytetitn dhe sheh tutje në Adriatik, kalaja e Lezhës të jep përhtypjen sikur pluskon në ajër, siç do të shprehej princesha bizantine Ana Komnena: “Një kështjellë në ajër, syri i djathtë i Durrësit”. Kalaja ka gjurmë të ndërtimeve nga periudha ilire, romake, bizantine dhe osmane.

Kalaja e Petrelës

Kalaja e Petrelës gjendet në një pozicion të favorshëm, e ngritur në shpate të thepisura, me një fushëpamje shumë të mirë të rrugëve tregtare që kalonin pranë saj. Sipas kërkimeve, kalaja është ndërtuar fillimisht në periudhën e antikitetit të vonë, më pas u rindërtua nga perandori Justiniani I. Kalaja e Petrelës shërbeu si një nga fortesat e fundit të qëndresës antiosmane. Sot, për shkak të pozicionit të saj piktoresk mes natyrës së gjelbër, larg zhurmës së qytetit, kalaja është kthyer në një destinacion të parapëlqyer për të kaluar një ditë ndryshe.

Fortifikimi i Porto Palermos

Fortifikimi i Porto Palermos është një kala e vogël trekëndore e cila në çdo cep ka një bastion pesëkëndor. Historia e ndërtimit të saj, e ka kthyer kalanë në simbol dashurie. Sipas legjendës së trashëguar brez pas brezi, Ali Pashë Tepelena e ndërtoi kalanë si dhuratë për gruan e tij më të dashur, Vasiliqinë. Kalaja ka qenë tërësisht funksionale dhe kontrollonte rrugët detare që kalonin atypari.

Kalaja e Krujës

Kalaja e Krujës është simboli më i rëndësishëm i qëndresës antiosmane të shqiptarëve. Në një kohë kur Perandoria Osmane kishte nën zotërim pjesën më të madhe të tokave të Ballkanit, Kruja u kthye në kryeqendrën e luftës së shqiptarëve. Kalaja antike e shekullit V e mori lavdinë e saj më të madhe gjatë kësaj kohe. Pjesa më e dukshme e saj është kulla e sahatit, në të cilën ra kambana që lajmëroi për vdekjen e Skënderbeut. Kruja u bë simbol rezistence dhe arriti të qëndronte e tillë për tridhjetëepesë vite.

Kalaja e Bashtovës

Kalaja e Bashtovës u ndërtua në shekullin XV dhe u kthye në një qendër të rëndësishme tregtie me Republikën e Venedikut. Gjatë periudhës osmane kalaja shërbente për të kontrolluar tregtinë bregdetare. Ajo gjendet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës, fare pranë detit Adriatik dhe është nga të paktat kala fushore të rajonit. Në të ndërthuren arkitektura veneciane dhe ajo osmane.

Kalaja e Lëkurësit

Kalaja e Lëkurësit mund të jetë pa frikë një nga kalatë me një prej panoramave më të jashtëzakonshme në Shqipëri. Prej saj mund të shihen qyteti i Sarandës, deti Jon dhe ishulli i Korfuzit. Kalaja, e rindërtur për t’i rezistuar kohës, është kthyer në një destinacion shumë të bukur turistik.

Spoonbill