5 lumenjtë që duhet të vizitoni në Shqipëri

October 19, 2023
Informacion, Udhëtime Blog
Lumi Vjosë (272 km)

Lumi Vjosë buron nga malet e Pindit në Greqi dhe është lumi i fundit i egër i kontinentit. Me një kulturë të hershme dhe histori të gjatë, Vjosa është shembulli i bashkëjetesës së njerëzve me kulturat dhe natyrën. I shpallur së fundmi si Park Kombëtar, është i vetmi i llojit të tij në Evropë. Lugina e Vjosës gjendet nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ndonëse Vjosa paraqet një ekosistem kompleks natyror, paraqet nga ana tjetër edhe një pikë me mundësi të mëdha zhvillimi turisitik. Natyra përrallorë që rrethon gjithë rrjedhën e Vjosës është një prej mundësive të mira për të udhëtuar dhe përjetuar peizazhe marramendëse. Lugina e Vjosës ofron mundësi të shkëlqyera për ecje, për lundrim me gomone apo kajak, mund të bëni edhe rafting në kanionet e lumit. Zona është gjthashtu një burim i shkëlqyer i kulinarisë.

Drini i Zi (149 km)

Me një emër misterioz dhe famë të madhe, Drini i Zi buron nga liqeni i Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe njihet edhe si motorri energjitik i Shqipërisë. Në veri të vendit bashkohet vrullshëm me Drinin e Bardhë dhe formojnë lumin Drin që derdhet ne detin Adriatik. Vitet e fundit, është vënë re se është e mundur që të zhvillohet në mënyrë të kënaqshme rafting, aty ku lumi rjedh vrullshëm dhe bëhet i vështirë për tu ndjekur. Lugina e Drinit të Zi nuk është plotësisht e eksploruar nga vendasit. Më së shumti është shfrytëzuar për peshkim dhe plazh që mund të zhvillohen me investim si përvoja që u ofrohen edhe turistëve, por ka premisa të mëdha për zhvillim të mëtejshëm turistik.

Lumi Osum (160 km)

I mirënjohur për legjendat që rrethojnë origjinën e emrit dhe krijimit të tij, më e përhapura ajo e zanës dhe dy maleve kreshnikë; për shoqërinë shekullore që i bën Beratit, Osumi është po kaq i njohur për kanionet e tij mbresëlënëse, peizazhe natyrore fantastike të krijuara thuajse tre milionë vite më parë. Grykat, rrjedha, bukuria e natyrës, lartësia dhe bimësia e gjelbërt mblidhen së bashku për të krijuar magjinë e kanionit. Kanioni është i përshtatshëm për lundrim me kajak, kanoe, si edhe për të bërë rafting. Natyrisht, Osumi mund të shijohet duke e vështruar buzë lagjeve Historike të Beratit.

Lumi i Shalës (37 km)

Vitet e fundit Lumi i Shalës ka tërhequr vëmendjen e pushuesve shqiptarë dhe të huaj për bukurinë e përralltë, të ujërave të kaltra që burojnë nga Thethi dhe pamjen e jashtëzakonshme. Lumi i Shalës ka një bukuri të ftohtë. Ndonëse jo plotësisht i eksploruar dhe pjesërisht i izoluar, lumi ofron mundësi të shumta për ta shijuar dhe për ta zbuluar, duke nisur që nga rrugëtimi i gjatë për të arritur në luginën e Shalës. Mënyra më e re që po parapëlqehet është vendosja e çadrave të kampit ndanë lumit.

Lumi Buna (44 km)

Lindur nga ujërat e liqenit të Shkodrës, Buna është një lumë me karakter lozonjar, me rëndësi në komunikimin e detit me liqenin dhe me një potencial ekoturistik fantastik. Ujërat e gjelbërta të lumit dhe natyra që e rrethojnë përfaqësojnë një ekosistem të pasur në florë e faunë. Vitet e Fundit, Buna ka treguar se mund të mikpresë në mënyrë të shkëlqyer organizimin e sporteve ujore dhe ofron një përvojë që nuk haset shpesh në veriun e vendit.

Spoonbill