Qarku Durrës – Atraksionet Turistike

October 26, 2023
Informacion, Udhëtime Blog
  1. Kalaja e Durrësit – E njohur ndryshe si Torra Veneciane, kalaja është një prej objekteve më identifikuese të Durrësit. Ajo i përket shekullit XV dhe është ndërtuar mbi rrënojat bizantine të kalasë së mëparshme. Ajo është një prej treguesve më të mirë të fortifikimit të Durrësit që prej antikitetit të vonë e deri në mesjetë. Në të rreh zemra historike e qytetit.
  2. Kalaja e Ishmit – Kjo kala mban emrin e lumit Ishëm që rrjedh pranë saj. Prej kalasë mund të shihen malet Krujë-Dajt, apo kepi i Rodonit. Kalanë e Ishmit e ndërtuan osmanët me qëllim vrojtimin e rrugëve dhe kontrrollin e tregtinë e paligjshme me Republikën e Venedikut. Përballë hyrjes së kalasë gjendet varri i piktorit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra.
  3. Kalaja e Currilave në Muzhlin e Skënderbeut – Gjithçka që ka mbetur nga kalaja e shekullit XV është kulla qëndrore. Rrëzë anës së djathë të kepit të Rodonit, kalaj u ndërtua prej Skënderbeut për të kontrroluar adriatikun dhe për qëllime tregtare. Pranë kalasë gjenden edhe rrënojat e kishës së Shën Pjetrit.
  4. Kalaja e Krujës – Prej më shumë se 1500 vitësh, kalaja e Krujës është rojtarja e qytetit. E ngritur mbi një kodër shkëmbore, kalaja qëndron në 557 metra lartësi dhe është kthyer në simbol të qëndresës antiosmane të shqiptarëve në mesjetë. E pasur në histori, e përmendur gjerësisht në bibliografinë historike të rajonit dhe me një bukuri krenare, ajo është guri qendror në diademën e kalave të Shqipërisë së mesme.
  5. Amfiteatri i Durrësit – Jehonat e ndeshjeve me gladiatorë, ende mund të gjurmohen brenda gurëve e tullave të një prej amfiteatrove më të bukur të Evropës. Amfiteatri i Durrësit është më i madhi i ndërtuar në Ballkan. I ngritur në shekullin e dytë pas Krishtit, me porosi të perandorit Trajan, amfiteatri mbante rreth njëzet mijë veta. Sot, vetëm një pjesë e tij është i hapur për publikun. Pjesë të tjera dergjen poshtë ndërtesave moderne, një humbje e madhe.
  6. Ura e Abdyl Agës – Dikur lidhte Shkodrën e Lezhën me Dibrën, sot lidh dy fshatra të Krujës. E restauruar së fundmi, ura e gurtë duket si zgjatim i natyrshëm i shkëmbinjve të hirtë mbi të cilët ngrihet.
  7. Mozaiku i Orfeut – Ky mozaik i rrallë me një bukuri të pahasur në tjetër vend paraqet heroin Orfe, që në mitologji lidhet me poezinë, muzikën dhe profecinë. I rrethuar nga motive floreale dhe gjeometrike, simbolika të natyrës dhe i punuar me ngjyra të gjalla, ky mozaik është një mrekulli për sytë.
  8. Pazar i vjetër i Krujës – I shtrirë përgjatë një “korridori” të kalldrëmtë, me dyqane dhe punishte artizanale, Pazari i Krujës, është një Pazar tradicional që jo vetëm përfaqëson vlera të jashtëzakonshme historike, por është edhe një magnet i vërtetë për turistët.
  9. Muzeu arkeologjik Durrës – Nuk mund të thoni që keni vizituar Durrësin nëse nuk keni shkuar qoftë edhe një herë në muzeun arkeologjik të qytetit. I mbushur në kuptimin e parë të fjalës me prehistori dhe lashtësi, muzeu ofron një vështrim të veçantë në historinë e një prej qyteteve më të lashta të Mesdheut.
  10. Muezu “Gjergj Kastriot Skënderbeu” – Muzeu mban emrin e heroit kombëtar të shqiptarëve dhe është një vepër arkitekturore monumentale, e cila kërkon të ruajë në kohë emrin dhe veprën e Gjergj Kastriotit. E mbushur me art, artefakte dhe imazheri kronologjike, kjo kështjellë muzeore është një prej bizhuve të Krujës.
  11. Shtëpia muze e Aleksandër Moisiut – Në këtë shtëpi tradicionale të shekullit të kaluar ka kaluar disa vite të fëmijërisë aktori Aleksandër Moisiu. Dy prej dhomave të muzeut i dedikohen atij. Pjesa tjetër e banesës ekspozon objekte muzeale të etnografisë së qytetit. Muzeu ia vlen të vizitohet.
Spoonbill