Qarku Dibër – Atraksionet Turistike

October 26, 2023
Informacion, Udhëtime Blog
  1. Kalaja e Grazhdanit – Besohet se kjo kala, mbetjet e së cilës janë zbuluar në vitin 1983 në juglindje të Peshkopisë, është prova se në antikitet këtu mund të ketë ekzistuar një qytet. Sot shumë pak është e dallueshme nga çfarë kalaja është dukur më parë.
  2. Ura e Halilajve – Ndër të paktat ura të stilit venecian në Mat dhe jo vetëm, kjo urë në hyrje të fshatit Dars lidhte rrugët bregdetare me lindjen e vendit. Ajo ka një rëndësi të veçantë për stilin, vjetërsinë dhe rolin që ka luajtur.
  3. Ura e Vashës – Vjetërsia e kësaj ure është rreth treqindvjeçare dhe lidh Klosin me Gurin e Bardhë. Është i vetmi mjet lidhës në rrjedhën e sipërme të lumit Mat. Për nga tipologjia ajo ngjason me Urën e Mesit në Shkodër, apo atë të Kamares në Librazhd.
  4. Kisha e Shën Dhimitrit në Maqellarë – Kjo kishë mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1892, ka afrekse të dëmtuara dhe shumë pak objekte për shërbesa fetare.
  5. Shpella e Gurit të Kuq – Me origjinë karastike dhe konkrecione të shumta, kjo shpellë me gjatësi rreth 400 metra ofron pamje të mrekullueshme. Gjendet në afërsi të fshatit Vakuf në Peshkopi.
  6. Liqenet e Kacnisë – Shpati lindor i malit të Balgjajt është shtëpia e liqeneve të Kacnisë, të cilat kanë të njëjtin emër me fshatin në jugperëndim të tyre. Këto liqene janë të tipit akullnajor dhe së bashku me natyrën përqark krijojnë një peizazh alpin mjaft të bukur.
  7. Bjeshkët e Gramës – Një prej thesareve natyrore të Dibrës, bjeshkët e Gramës ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të shijuar një kompleks ku natyra shfaq bukurinë e maleve, shtigjeve, liqeneve etj. Ky është vendi i duhur për një aventurë në natyrë në një vend relativisht jo shumë të shkelur.
  8. Liqeni i Zi në Radomirë – Fare afër me Korabin, ky liqen është i rrethuar prej një kurore pishash të zeza që sipas atyre që thonë vendalinjtë, është edhe arsyeja e rrezatimit të pakët të rrezeve të diellit që të jep përshtypjen se liqeni ka ujëra të zeza. Një vend me bukuri të rrallë dhe i përshtatshëm për piknik e çlodhje.
  9. Muzeu i Dibrës – Muzeu ka tre pavione dhe rreth 2000 objekte muzeore që tregojnë zhvillimin dhe vazhdimësinë e zonës së Dibrës në arkeologji, histori dhe etnografi.
Spoonbill