Qarku Berat – Atraksionet Turistike
Qarku Berat – Atraksionet Turistike
- Kalaja e Beratit – E njohur në antikitet si Antipatrea, kalaja e Beratit është pasuria më e madhe e qytetit, një monument i jashtëzakonshëm historik që nuk ka reshtur së “frymuari” që prej shekullit IV para Krishtit. Ndonëse lavdia e dikurshme e njëzet e katër kullave vrojtuese sot nuk është më e dukshme, kalaja ende ruan madhështinë e saj shekullore. Me rrugët e kalldrëmta, shkallët e thepisura, lagjen historike brenda në kala dhe panoramën marramendëse të qytetit dhe lumit Osum, kalaja mban kurorën e historisë së Beratit.
- Ura e Goricës – Dy lagjet historike të Beratit lidhen prej kësaj ure të gurtë, e ndërtuar fillimisht në shekullin XIII nën regjimin osman. Ura e Goricës është një prej urave më të bukura që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe.
- Kisha e Shën Triadhës – Me tullat e kuqërremta, gurët e ngjeshur dhe pozicionin e saj të favorshëm brenda kalasë, Kisha e Shën Triadhës nuk duhet humbur nëse vizitoni kalanë.
- Kisha e Shën Mëri Vllahernës – Kjo është kisha më e vjetër e Beratit, i përket shekujve XII-XIV dhe është ndërtuar prej gurëve e tullave. Disa prej ikonave të saj janë piktururar nga Onufri.
- Xhamia Mbret – Kjo është xhamia më e rëndësishme e Beratit. Ajo gjendet në qendër të qytetit dhe për periudhën që është ndërtuar, dallohet për përmasat e mëdha, oborrin dhe dekorin e saj të hollë.
- Xhamia e Plumbit – Xhamia e Plumbit në Berat është një prej përfaqësuesve më të mira të arkitekturës së shekullit të gjashtëmbëdhjetë në Shqipëri. Kjo xhami është e bukur, e rëndësishme dhe simbolike.
- Teqeja e Helvetive – Teqeja Helvetive i përket shekullit XVIII dhe është një objekt besimi i ndërtuar dhe i zbukuruar me mjeshtëri. Teqeja dallohet për dekoracionin e saj të pasur: tavanet e gdhendura në dru, pikturat etj.
- Xhamia e Beqarëve – Kjo xhaami, me një emër që sot mund të ngjajë paksa i çuditshëm, shquhet për afresket e mrekullueshme që e rrethojnë nga jashtë dhe nga brenda. Këto piktura murale me motive floreale dhe rafinatura elegante e bëjnë xhaminë e Beqarëve një objekt mjaft interesant për t’u vizituar.
- Lagjja brenda kalasë – E veçanta e lagjes brenda kalasë së Beratit është se ajo është ndër të paktat formacione mesjetare në vend që vazhdon të funksionojë ende. Shtëpitë karakteristike, restorantet, baret, kombinuar me muret e kalasë, panoramat e mrekullueshme të qytetit dhe mikpritjen e banorëve, e bëjnë lagjen brenda kalasë zonën më të vizituar të qytetit.
- Muzeu i ikonogrfisë “Onufri” – Ky është muzeu më interesant i Beratit. I ndodhur brenda zonës së kalasë, muzeu ekspozon dyqind objekte muzeore me vlera të jashtëzakonshme, më së shumti të tipit ikona dhe objekte liturgjike. Këtu ruhen objekte të një rëndësie të lartë, siç janë ikonat e pikturuara nga Onufri, apo të tjerë artistë të mëdhenj. Në muze ruhen edhe replikat origjinale të Kodikut të Purpurt të Beratit, zbuluar më 1968 poshtë dyshemesë së absidës. Kodikët janë pjesë e koleksionit “Kujtesa e Botës” së trashëgimisë jomateriale të UNSECO-s.
- Muzeu Etnografik i Beratit – Muzeu etnografik paraqet një mundësi të shkëlqyer për të njohur Beratin në dimensionet e tij të shumta kulturore. Shtëpia karakteristike, e cila mban mbi njëmijëetreqind objekte që mund të vizitohen e të shihen nga afër, ekspozon në pesë dhoma jetën e Beratit prej mesjetës e deri në shekullin e kaluar.
- Ujëvara e Bogovës – E gjendur mes shkëmbinjëve të bardhë, në një kthinë thuajse të mbyllur plotësisht, ku duhet të kalosh mes gjelbërimit të pyjeve për ta arritur, ujëvra e Bogovës ofron freski, bukuri dhe aventurë.