Plazhet e jugut: Riviera e Shqipërisë
Plazhet e jugut: Riviera e Shqipërisë
Orikumi
Orikumi është një qytet jo shumë i madh në rrethin e Vlorës që ofron mundësi të shumta turizmi, por pjesa më e rëndësishme e tij mbeten plazhet magjepsëse, ku bluja e detit është aq e gëzueshme dhe e gjallë sa mund të të bëjë të buzëqeshësh vetëm duke e parë. Llogaraja fare pranë e bën edhe më të bukur peizazhin dhe në zonë mund të gjeni edhe pika të turizmit historik, duke qenë se Orikumi i sotëm gjendet në tërritorin e një vendbanimi të lashtë ilir.
Radhima
Radhima është një tjetër plazh me ujëra të kaltërta, ku bukuria e detit bëhet një me bukurinë e kodrave të gjelbërta. I parapëlqyer më së shumti nga familjarët për atmosferën e qetë, plazhi ofron një klimë të shkëlqyer, hapësira të bollshme dhe më e rëndësishmja, qetësi dhe rehati.
Dhërmiu
Dhërmiu mban pa dyshim titullin e plazhit më të njohur të jugut të Shqipërisë. Një destinacion që u bë mjaft popullor në fillim të viteve 2000, sot Dhërmiu mikpret të rinj dhe familjarë, të gjithë të magjepsur nga bukuria e rrallë e zonës. Plazhet zallore të Dhërmiut janë një destinacion i parapëlqyer nga të gjithë. Një zonë e cila zhvillohet çdo ditë, Dhërmiu me detin e mrekullueshëm, fshatin piktoresk dhe jetën e gjallë ofron mundësi zgjedhjeje për të gjithë.
Palasa
Palasa është një zonë me bukuri përrallore që vitet e fundit po merr vëmendjen që Meriton. Fshati turistik me rrugica të ngushta kalldrëmi dhe shtëpitë e lyera më të bardhë, është veçse antipasta, pasi pjata kryesore janë plazhet me breg të gjerë zalli, rrethuar nga gjelbërimi, ku mund të shijohet një përvojë e mrekullueshme e të bërit plazh.
Jala
Jala gjendet e strukur në brendësi të kodrinave me ullinj të Vunoit dhe ka një nga plazhet më të bukura të gjithë bregdetin e jugut. Natyra e begatë e kësaj zone është ideale për të gjithë ata që përveç plazhit duan të shijojnë apo eksplorojnë edhe pak natyrë tipike mesdhetare. Vizitorët thonë se Jala ka një forcë magnetike që të shtyn ta vizitosh vit pas viti.
Livadhi
Livadhi është nga plazhet më të mëdha të zonës së Himarës. Në peizazhin e Livadhit përfshihen rrënojat e kalasë së Himarës dhe ullinjtë shekullorë. Është një zonë që parapëlqehet masivisht nga pushuesit e huaj, për shkak se ndryshe nga plazhet me natyrë më rinore dhe të zhurmshme, si Dhërmiu, ofron qetësi dhe një rrjedhë më të shtruar pushimesh.
Potami
Potami është një tjetër plazh i madh i Himarës, i cili përveç detit kristal dhe natyrës së qeshur ofron edhe aktivitete të tjera. Lundrimi me kajak është një prej tyre. Ndonëse brigjet e plazheve gëlojnë nga aktivitetet e shumta, një udhëtim i shkurtër për në shkëmbinjtë pak më të veçuar është një tjetër aventurë interesante që mund të përjetoni.
Borshi
Plazhi i Borshit është ngado i rrethuar me peizazhe të bukura. Deti i tij është i kaltër dhe në të reflektohen gjithë nuancat e saj. Bekuar me gjelbërim dhe një natyrë të begatë, Borshi ka edhe një kala që mund ta vizitoni. Ky është një plazh parajsor.
Buneci
Buneci është një plazh i qetë dhe shumë i pastër, i cili ka ruajtur thuajse në mënyrë të paprekur formën e vet origjinale. Nuk hyn tek plazhet shumë të populluara të jugut. Është mjaft afër me rrugën nacionale dhe mund të gjeni mundësi të ndryshme akomodimi.
Krorëza
Krorëza është një plazh i virgjër i cili ka ujë të kristaltë, rërë të bardhë dhe pamje magjepsëse. Është vendi ideal për ju që dëshironi të ngrini camp, pasi përreth nuk ka hotele apo biznese të tjera. Ky plazh ofron me të vërtetë një përvojë të veçantë.
Gjipeja
Ky është një gji me bukuri të jashtëzakonshme. Njohur ndryshe edhe si Gjiri i Perëndive, gjipeja ofron pamje unike për bregdetin jonian shqiptar. Deti fantastic dhe natyra e patëmetë janë kombinimi perfekt për kamp, por kini parasysh ta respektoni në maksimum këtë copëz parajsë të natyrës.