Parqet kombëtare të Shqipërisë

October 25, 2023
Informacion, Udhëtime Blog

Parku Kombëtar i Dajtit (28,561.85 ha)

Parku Kombëtar i Dajtit është i vendosur në pjesën qendrore të vargmalit Krujë-Dajt, në verilindje të Tiranës. Ky park njihet si një ekosistem i madh dhe i larmishëm, thuajse i paprekur nga njeriu, i ruajtur mirë. Ai shërben si shtëpia e 668 llojeve të ndryshme të kafshëve, një larmie të pambarimtë bimësh, katër prej tyre tipike për këtë vend. I mbuluar nga flora e shumëllojshme, parku ndërron pamje me stinët dhe të gjithë pamjet e tij janë mbresëlënëse. Afërsia kaq e madhe me kryeqytetin e bën Dajtin dhe parkun një pikë të parapëlqyer ku familjet shkojnë për piknik, turistët për të shijuar disa pamje përrallore të Tiranës, por ka plot gjëra të tjera që mund të bëni. Parku njihet për teleferikun e tij, unik për Shqipërinë e mesme, i cili jo vetëm dhuron një përvojë të mrekullueshme, por gjithashtu ka dhe një histori të gjëtë. Si një nga parqet më të populluara të vendit, Dajti ofron në zona të caktuara mundësi për alpinizëm, rrëshqitje me ski etj. Nga dajti mund të shihet edhe Deti Adriatik. Madje, këtu janë gjetur edhe fosile midhjesh, gjë që provon aktivitetin malformues dhe tregon se shekuj më parë ky territor lagej nga deti. Klima e mirë dhe mjaft e shëndetshme është një tjetër arsye pse parku parapëlqehet në masë për çlodhje.

Parku kombëtar Divjakë-Karavasta (22,389.08 ha)

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë bregdetare shqiptare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut. Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70km larg Tiranës. Galeria e gjerë e peizazheve, specieve, shumë prej të cilave të rrezikuara, i japin parkut Divjakë-Karavasta rolin e një qelize natyrore në zemër të bregdetit, përgjegjëse për krijimin dhe zhvillimin e një jete të brishtë me rëndësi dhe vlera të veçanta kulturore, shkencore dhe historike. Divjaka njihet edhe si zonë turistike plazhi, ndaj mundësia për të kaluar një ditë të mbushur plot me aktivitete paraqitet natyrshëm. Gjithsesi, besojmë se një ditë do t’ju mjaftojë për të përjetuar bukurinë dhe energjinë e paqtë të parkut. Parku njihet gjithashtu për Lagunën e Karavastasë, më e madhja në vend, rezidenca e një pelikani simpatik (Pelikani Kaçurrel) dhe e shumë specieve të tjera. Vizitimi i parkut ofron një mundësi shumë të mirë për të provuar kuzhinën lokale dhe mënyrat tradicionale të zejeve.

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli (30,600 ha)

I vlerësuar si mushkëria natyrore e Shqipërisë së Jugut, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli është më i madhi në vend, njëkohësisht kurora më e madhe pyjore e jugut. Vlerat historiko-natyrore të parkut përfaqësohen nga mbizotërimi i Bredhit të Maqedonisë, një specie relikte mesdhetare. Për të gjithë ithtarët e ecjeve të mundimshme në këmbë (trekking) parku ofron pesë itinerare të ndryshme, zona është gjithashtu ideale për çiklizëm malor, dhe makina 4×4 (intinerari më i frekuentuar është Përmet-Frashër-Ogren-Bënjë-Përmet). Gjatë itinerarëve është e mundur të vizitohen edhe disa fshatra të zonës, prej të cilëve Frashëri, ku mund të ndalohet edhe në shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, trinia më famëmadhe iluministe e periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1831-1912). Rruga mund t’ju çojë në Kanionin e Kamenicës, apo në Kanionin e Langaricës, që të dyja me bukuri idilike. Brendia e parkut dëshmon kulturën e hershme dhe të pasur të zonës, dëshmi janë monumentet kulturore dhe historike si kisha e Shën Mërisë në Okdunan e Kosinë, Teqeja e Ali Postivanit, dhe Frashërit, Ura e Katiut etj. Në dimër, vizitorët mëtojnë se bora i jep thuajse një bukuri naive përralle parkut dhe duke çuar ndërmend se lartësitë shkojnë deri në 1600 metra, duhet të jetë goxha pamje.

Parku Kombëtar i Butrintit (8,622.2 ha)

Po, ky është Butrinti i “Natës së dymbëshjetë”, apo njohur ndryshe, një nga vendodhjet e parapëlqyera të pushimit për aristokracinë Greko-romake të antikiteti. Ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës. Për ndërlidhjen e peizazheve shumëllojshe natyrore me mbetjet dhe artefaktet e vyera antike të kulturës greko-romake, Butrinti gëzon statusin e një emri të artë në historinë e arkeologjisë shqiptare, pjesa historike është pjesë e UNESCO-s prej 1999, kurse liqeni i Butrintit është Zonë Veçanërisht e Mbrojtur, sipas Konventës së Barcelonës 1995. Në fjalë të tjera, parku është fat i madh për Shqipërinë. Madje këtu mund të shihni edhe blloqe të mëdha me mbishkrime pellazge. Vëzhgimi i pikave historike dhe shijimi i bukurive natyrore, janë pa dyshim aktiviteti parësor dhe më i rëndësishëm kur vizitoni Butrintin. Nëse jeni me fat, brigjeve mund të hasni ndonjë delfin apo breshkë deti. Në habitatet e këtij parku jetojnë rreth 35 lloje gjallesash globalisht të kërcënuara. Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore Arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000 vjeçar.

 

Parku kombëtar Lurë-Mali i Dejës (19,288.88)

Kur dëgjohet emri Lurë, mendja të shkon tek liqenet 12 akullnajore të Lurës, të njohur si “Liqenet e Kunorës së Lurës”, një grupim unik i këtyre masivëve ujorë me bukuri të rrallë që çuditërisht kanë frymëzuar kohë pas kohe artistë, si Kadare që shkruan: “Askush nuk mund ta ndajё Lurёn nga liqenet e saj. Prandaj, kush udhёton drejt Lurёs, udhёton drejt liqeneve tё saj…Befas na shfaqen liqenet, njёri pas tjetrit, ma tepёr tё gjelbёr se tё kaltёr tё rrethuar nga malet dhe pishat. Si gjithmonё, kur ndodhesh pёrpara gjёrave tё bukura, ёshtё vёshtirё t’i pёrshkruash. Fjalёt janё tё zbehta pёrpara ujit dhe gjelbёrimit qё pёrbёjnё gjithё ato nuanca tё kёsaj bukurie tё gjallё.” Pamjet që vizitorët nxisin se nuk duhen humbur janë zambakët e bardhë gjethegjerë mbi liqen, apo livadhet e mrekullueshme. Relievi malor që kulmon me majën e Dejës (2,246 m) dhe pyjet shekullore i japin një ndjesi mistike kësaj zone. Atmosfera e majave të tymta dhe bukuria e acartë e lugjeve akullnajore janë shija e parë e botës natyrore të Shqipërisë së Veriut. Cilësitë estetike të peizazheve të këtij parku janë ndër vlerat më të rëndësishme që ai ka. Për ju që dashuroni një rrugëtim në toka që ngjajnë si përshkrime folku, kjo është mundësia më e mirë për ju.

Parku Kombëtar i Shebenikut (34 507.9 ha)

Madhështor dhe plot gjelbërim, Shebeniku duket të ketë një natyrë të gëzueshme, me klimën e mirë dhe të ngrohtë, duket sikur të fton ta vizitosh. Është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Rajonin Juglindor të vendit, pranë Librazhdit. Cilësohet si një nga ekosistemet natyrore komplekse, pjesë e brezit të gjejlbërt të Evropës, me disa prej peizazheve malore më madhështore në Ballkan. Temperamenti i dashur i vendasve dhe kultura e Shqipërisë së Mesme, i kanë dhënë emër të mirë zonës dhe gjatë kohës tuaj në park mund të provoni mikpritjen dhe kuzhinën vendase në disa prej shtëpive të kthyera në taverna e hane. Adhuruesit e turizmit malor, e preferojnë në masë parkun e Shebenikut për mundësit e ndryshme të organizmit të ngjitjeve në pikat e zonës. Kujdes, rrugës mund të hasni tigra, ndonëse nuk ka shumë gjasa. Bëhet fjalë për tigrin e Ballkanit, Rrëqebullin, macen legjendare që sot bën pjesë në listën e kuqe të rrezikut për zhdukje. Alpinizmi është aktiviteti më i mirë që mund të kryeni në Parkun Kombëtar Shebenik.

Parku Kombëtar i Prespëes

Ndodhet në kufi të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë Veriore dhe është vijim natyror i PK Prespa në Greqi dhe PK Galiçica, në Maqedoni. Përfshin liqenet Prespa e Madhe dhe e Vogël dhe territoret përreth tyre. Sipas marrëveshjes trepalëshe, ndërmjet tre vendeve bregliqenore, njëherazi, është park ndërkufitar. Brenda këtij ekosistemi gjenden 22 lloje habitatesh dhe gjejmë edhe këtu Rrëqebullin

 

 

Spoonbill