hotel tradita

Një Vizitë tek Hotel Tradita në Shkodër

April 13, 2021
Akomodim Blog

Nëse po mendoni të bëni një vizitë në Shkodër, kryeqendrën e veriut të Shqipërisë, atëhere nuk mund të mos provoni eksperiencën te hotel Tradita. Ashtu si dhe vetë emri, qëndrimi në këtë hotel bëhet edhe më interesant nga vlerat kulturore dhe historike që ai mbart, si edhe nga vlerësimi për traditën shkodrane. Madje, nga grumbullimi i sendeve antike, tashmë atje është krijuar dhe një muze i vogël. Përpara krijimit të hotel Tradita, godina ka qenë një shtëpi tradicionale shkodrane 2 katëshe, e cila i përkiste familjes së Dukë Gilaj. Ndër vite janë ruajtur elementet e arkitekturës dhe sot është trashëgimi e qytetit të Shkodrës.

NJË VATËR MIKPRITËSE
hotel tradita

Idea për të ngritur këtë biznes erdhi nga eksperienca e Gjonit, njërit prej djemve të Dukë Gilajt, gjatë periudhës që ishte në emigracion. Me një dëshirë të madhe për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë, rëndësinë e kulturës dhe traditës u krijua bar, restorant Tradita Gegë & Toskë në 2004 dhe më pas si hotel në 2010. Sot është një vatër që mirëpret të gjithë vizitorët që duan të pushojnë, të njohin më shumë mbi traditën shqiptare, si edhe të shijojnë ushqim cilësor. Me një atmosferë të ngrohtë që padyshim do t’ju tërheqë, por edhe do t’ju kthejë në miq besnik të hotel Tradita.

GASTRONOMI SIPAS TRADITËS
Hotel Tradita ne Shkoder

Hotel Tradita e personifikon emrin e tij edhe në detajet më të vogla. Përveç pamjes karakteristike, sapo hyni në restorant do të dalloni tavolinat e shtruara me mbulesa të punuara në vegjë nga shkodranet dhe zadrimoret, me fije të kuqe dhe të bardha, kupat e verës dhe enët prej balte. Madje edhe gatimet e shumëllojshme bëhen me enë autentike. Sigurisht, nuk mund të mos provoni disa nga specialitetet me të shijshme të zonës të përgatitura me mjeshtëri në restorant Tradita. E veçanta është se çdo përbërës është prodhim shqiptar duke filluar nga mishi, peshku e bulmeti, e deri tek erëzat, çajrat dhe pijet. Për këtë arsye, gatimet kanë një shije të rrallë dhe origjinale. Vlen të përmendet fakti se shumë ushqime gatuhen në çast tek oxhaku i madh në ballë të dhomës. E gjithë kjo për t’i dhuruar vizitorëve e miqve një eksperiencë mjaft të këndshme që mbetet në mendje për një kohë të gjatë.

Spoonbill