Një Eksperiencë në Shqipërinë Juglindore
Jeni duke kërkuar ide udhëtimi? Kërkoni të provoni një eksperiencë të re këtë fundjavë? Nëse jeni lodhur nga destinacionet e zakonshme në jug apo në veri, atëhere është koha të merrni një drejtim tjëtër: Shqipëria Juglindore. E lënë paksa në hije nga guidat e ndryshme, pavarësisht se ka vërtet potencial për të zhvilluar turizmin. Kjo zonë e Shqipërisë është jo vetëm e bekuar me një natyrë marramendëse, por edhe e pasur me tradita që ruhen edhe sot. Prandaj po ndajmë me ju një nga eksperiencat më të veçanta në juglindje të vendit tonë.
Ndalesë në Grykën e Këlcyrës
E ndodhur në rrethin e Përmetit, e shtrirë përgjatë maleve Trebeshinë dhe Nëmërçkë, Gryka e Këlcyrës është një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Këtë vend madhështor do ta gjeni në pikën më të lartë të pllajës mes maleve, në të djathtë të lumit Vjosë. Në çdo stinë Gryka e Këlcyrës ia vlen të vizitohet, megjithatë në vjeshtë ndodh spaktakli i vërtetë i ngjyrave të natyrës që nuk duhet humbur.
Përmeti- gliko, verë e njerëz të mirë!
Përmeti- qyteti i luleve, glikove dhe verës. Ç’të themi më shumë?
Është e domosdoshme të kalosh në këtë qytet e të vizitosh një punishte më prodhimet tradicionale të glikove nga më të ndryshmet. Atje mund të shihni sesi prodhohen këto produkte artizanale nga duart e grave përmetare, të cilat mbajnë gjallë traditën. Me një shije të paparë dhe një shumëllojshmëri produktesh, me siguri nuk do të lini gjë pa provuar! Gjithashtu, Permeti njihet edhe për kantinat ku prodhohen disa nga verërat më cilësore në rajon, të cilat vlen të provohen. E gjithë kjo do të shoqërohet me mirësinë dhe mikpritjen e përmetarëve që do t’ju ngrohin zemrat!
Vizitë në të famshmet Banjat e Bënjës
Banjat e Bënjës njihen për ujërat termale me veti kuruese. Të ndodhura 8 km larg qytetit të Përmetit, nuk kishin si t’i shpëtonin udhëtimit tonë. Që nga Ura e Katiut do të dalloni grupet e burimeve, të cilat më pas formojnë liqene me madhësi të ndryshme. Përveç pamjes së mrekullueshme, çdo liqen përmban veti shëruese për problemet e lëkurës,
kockave, stomakut, etj. Diçka tjetër e veçantë është edhe balta rreth liqeneve, e cila sipas studimeve njihet për vetitë e saj rigjeneruese për lekurën.
Pra, nëse pamjet impresionuese nuk ju duken arsye e mjaftueshme për t’i vizituar, mendoni për vetitë kuruese të këtyre llixhave dhe zhytjen në ujërat e ngrohta!
Udhëtoni drejt rrugës magjepsëse Leskovik-Ersekë
Do të mahniteni nga një rrugë aq e larmishme që fillon me pamjet fantastike të shtratit të Vjosës dhe kalon midis pyjeve me bredha të lartë e të dendur, si dhe lëndinave të gjera. Gjat rrugës mund të kaloni në Carhovë dhe mund të ndaloni në fshatin e bukur të Leskovikut. Në fund do të mbërrini në Ersekë. Kaq e vogël dhe shumë pak e njohur. Një qytet rrëzë malit Gramoz hijerëndë, që i fal një pamje aq të bukur. Do ta gjeni veten mes ajrit të pastër që do t’ju mbushi mushkëritë dhe ushqimit bio me të cilin nuk do të keni të ngopur.
Një shëtitje në shtegun panoramik të Rehovës
Vetëm 2 km larg Ersekës ndodhet fshati Rehovë. Një fshat i vogël me shtëpi të vjetra karakteristike dhe kishën e Shën Kollit në qendër. Nga këtu fillon udhëtimi më këmbë në shtegun panoramik prej 6.5 km. Fillimisht do të ndiqni rrugën drejt kishës së Shën Pjetrit ku gjendet edhe burimi i ujit nga mali i Gramozit. Më pas do të kaloni hidrocentralin e Rehovës dhe do të mbërrini tek gryka e lumit kun ë të majtë do të shihni malin e Razdollit. Duke ndjekur një rrugë zig-zag do të filloni ngjitjen drejt pjesës më tërheqëse të shtegut: Ujëvara e Gramozit. Me të mbërritur në ujëvarë do të kuptoni vlerën e kësaj shëtitjeje. Përpara jush do të shfaqen me gjithë madhështinë
e tyre fusha e Kolonjës, malet e Përmetit, Skraparit dhe Korçës. Një pamje spektakolare dhe një eksperiencë unike që nuk duhet humbur.