Çfarë të Vizitoni në Dubrovnik?
Dubrovniku është një nga qytetet më të njohur në bregdetin Dalmat, në pjesën jugore të Kroacisë. Ky qytet piktoresk u krijua në vitin 1358 nga refugjatë Romakë dhe njihej me emrin Ragusa. Përgjatë historisë ka patur ndikime bizantine, sllave e veneciane dhe sot është edhe pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga UNESCO. Por, çfarë mund të vizitoni në një udhëtim në Dubrovnik?
Eksploroni Muret dhe Qytetin e Vjetër
Qyteti i vjetër në Dubrovnik është i rrethuar tërësisht nga mure, të cilët dikur mbronin qytetin nga pushtuesit dhe dallgët e detit. Sot këto mure janë një nga atraksionet kryesore dhe madje mund edhe të bëni një shëtitje nëpër to duke shijuar pamjet e Dubrovnikut nga lart. Më pas, mund të vazhdoni shëtitjen tuaj përgjatë qytetit të vjetër. Kjo është pjesa më e bukur e këtij destinacioni që do t’ju bëjë të ndiheni sikur po ktheheni pas në kohë. Përveç vlerave historike dhe kulturore, kjo zonë e Dubrovnikut është mjaft e famshme edhe për fansat e serialit Game of Thrones. Kjo pasi qyteti i vjetër ka qenë vendi ku janë filmuar skena të ndryshme.
Shijoni Plazhet e Mrekullueshme
Në Dubrovnik gjithashtu do të gjeni edhe plazhe shumë të bukura. Në përgjithësi janë plazhe shkëmborë me ujëra të kristalta. Për sportdashësit, një opsion i mirë është kayaking, nga ku mund të shijojnë pamjet mbresëlënëse nga një këndvështrim tjetër.
Eksploroni Ishujt Përreth
Një aktivitet tjetër interesant që mund të bëni në një udhëtim në Dubrovnik, është edhe eksplorimi i ishujve përreth. Kjo është një mënyrë e mirë për t’u larguar nga zhurma e zonave të mbushura me turistë. Shumica e tyre bëjnë pjesë në grumbullin e ishujve Elaphiti. Gjithsej janë 6 ishuj ku mund të shkohet lehtësisht me një udhëtim të shkurtër me varkë. Atje do të mund të shijoni plazhet, eksploroni shpellat, të shijoni ushqimin e freskët të detit si edhe do të gjeni disa kantina vere. Për më tepër, nëse ndaloni nëpër qytezat e vogla do të mësoni shumë edhe rreth kulturës kroate.
Shijoni Pamjet nga Teleferiku
Së fundmi, duke qenë se në Dubrovnik gjendet deti nga njëra anë dhe kodra nga ana tjetër, një ide mjaft e mirë është të merrni teleferikun. Zakonisht, pamjet më fantastike janë gjatë perëndimit të diellit nga ku shihni të gjithë zonën e Dubrovnikut.
Me pak fjalë, një udhëtim në Dubrovnik do t’ju ofrojë gjithçka ju duhet për të pasur një eksperiencë të paharrueshme.