Lumi i Shalës

Lumi i Shalës: Çfarë e bën kaq tërheqës për turistët?

August 10, 2020
Udhëtime Blog

Thesaret e veriut të Shqipërisë nuk kanë të mbaruar. Destinacioni i rradhës është lumi i Shalës. Duke buruar nga Alpet shqiptare dhe duke u derdhur ne liqenin e Komanit, kjo pikë turistike gjendet si një gur i çmuar mes maleve. Me një gjatësi 37 km, lumi i Shalës është destinacioni i duhur për të gjithë adhuruesit e natyrës.

Si shkohet në lumin e Shalës?

Rrugëtimi fillon drejt veriut të Shqipërisë. Fillimisht do të mbërrini në liqenin e Komanit, i cili që nga viti 2000 filloi të përdorej edhe për udhetime me varka apo tragete. Kjo i dha jehonë edhe bukurisë së natyrës përgjatë këtyre lundrimeve, të cilat herët a vonë u kthyen në atraksione si për vendasit edhe për të huajt.

koman

Kështu, nis udhëtimi juaj me varkë nga Komani për në lumin e Shalës. Një udhëtim mbresëlënës që në një farë mënyre nis t’ju paraprijë për atë që do të shihni. Pamjet e natyrës përreth liqenit të Komanit janë një mrekulli më vete. Mund të keni dëgjuar shumë për këtë oaz ku përqafohen lumi i Drinit dhe lumi i Shalës, por zor se mund të krahasohet me ndjesinë që jep kur e vizitoni.

Çfarë ju pret në lumin e Shalës?

Pas udhëtimit që zgjat rreth 1 orë, do të mbërrini në degëzimin mes liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës. Menjëherë do të vini re ujin e kaltër që nganjëherë merr edhe nuanca smeraldi dhe ju fton të eksploroni më tej. Me të mbërritur në breg do të vini re çfarë e bën kaq të veçantë këtë zonë. Gërshetimi i lumit, plazhit dhe majave të thepisura të maleve është diçka që rrallëherë ndeshet. Një destinacion perfekt për ata që duan të eksplorojnë natyrën, po ashtu edhe për ata që duan të pushojnë në plazhin pranë lumit të freskët. Për ata që janë më aventurier, lumi i Shalës ju fton edhe në zonat paksa më të thella ku do të ndieni akoma më shumë qetësinë që ju falin malet me meloditë e ëmbla të natyrës.

Hoteleria dhe Mikpritja

Duke qenë se ky destinacion nuk ka shumë vite që është zbuluar dhe gjithashtu ndodhet mes natyrës së paprekur, mundësitë për akomodim apo për restorante janë të pakta. Shpeshherë vizitorët zgjedhin si një alternativë mjaft të bukur edhe kampingun apo piknikët në natyrë. Megjithatë, mikpritja e malësorëve nuk mungon. Provojeni!

Spoonbill