Parqet kombëtare të Shqipërisë: nga Bjeshkët e Namuna tek Parku Kombëtar i Butrintit. Një afresk monumental i natyrës shqiptare.
Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë (82,844.65 ha)
Kjo është kurora natyrore shqiptare, që na rradhit ndër të paktat vende të Evropës me Alpe. Albanidet janë vazhdimi i fundëm i Alpeve Dinarike dhe kulminacioni i tyre, pasi këtu gjendet maja më e lartë e tyre, Jezerca madhështore (2,694 m). Në këtë park bëhen bashkë ekosistemet natyrore Lugina e Valbonës dhe Theth, shpallur park kombëtar dhe Lumi i Gashit, shpallur rezervë strikte natyrore. Ernest Koliqi, ndoshta më i shkëlqyeri i romantikëve tanë ka thënë se në malet tona dashuria dhe vdekja janë shpesh sinonime. Kjo mund të jetë e vërtetë pasi alpet tona quhen ndryshe Bjeshkët e Namuna. Kontrastet e peizazheve, si pasojë e relievit të izoluar dhe me karaktristika të shumëllojshme i japin tërësisë së parkut pamje spektakolare, me të vërtetë goditëse, mëse në gjendje për t’ju lënë me gojë hapur. Lugina e Valbonës, quajtur perla e veriut është një fenomen i rrallë turistik për Shqipërinë, siç është edhe Thethi, fshati që ruan në Shqipërinë moderne, thuajse të shituar atmosferën e jetës malësore, si dhe mbart dëshmitë e gjakmarrjes, për të na treguar një prej dukurive kanunore më të rralla të Evropës, po edhe për të na mësuar pse historia nuk duhet përsëritur. Parku Kombëtar i Alpeve ofron mundësinë e një përvoje të pashoqe ku mund të shijoni bukuritë marramendëse të natyrës, stilin e jetesës në mal, ecjeve, tureve të organizuara dhe alpnizmit.
Si të shkoni: Udhëtoni nga Tirana drejt Kukësit, më pas nga Kukësi drejt Luginës së Valbonës. Nga aty mund të orientoheni për në pesët e tjera të parkut.
Parku kombëtar Lurë - Mali i Dejës (19,288.88)
Kur dëgjohet emri Lurë, mendja të shkon tek 12 liqenet akullnajore të njohur si “Liqenet e Kunorës së Lurës”, një grupim unik i këtyre masivëve ujorë me bukuri të rrallë që çuditërisht kanë frymëzuar kohë pas kohe artistë, si Kadare që shkruan: “Askush nuk mund ta ndajё Lurёn nga liqenet e saj. Prandaj, kush udhёton drejt Lurёs, udhёton drejt liqeneve tё saj…Befas na shfaqen liqenet, njёri pas tjetrit, ma tepёr tё gjelbёr se tё kaltёr tё rrethuar nga malet dhe pishat. Si gjithmonё, kur ndodhesh pёrpara gjёrave tё bukura, ёshtё vёshtirё t’i pёrshkruash. Fjalёt janё tё zbehta pёrpara ujit dhe gjelbёrimit qё pёrbёjnё gjithё ato nuanca tё kёsaj bukurie tё gjallё.” Pamjet që vizitorët nxisin se nuk duhen humbur janë zambakët e bardhë gjethegjerë mbi liqen, apo livadhet e mrekullueshme. Relievi malor që kulmon me majën e Dejës (2,246 m) dhe pyjet shekullore i japin një ndjesi mistike kësaj zone. Atmosfera e majave të tymta dhe bukuria e acartë e lugjeve akullnajore janë shija e parë e botës natyrore të Shqipërisë së Veriut. Cilësitë estetike të peizazheve të këtij parku janë ndër vlerat më të rëndësishme që ai ka. Për ju që dashuroni një rrugëtim në toka që ngjajnë si përshkrime folku, kjo është mundësia më e mirë që do t’ju jepet.
Si të shkoni: Mund të arrini duke ndjekur rrugën rurale Peshkopi – Fushë Lurë.
Parku Kombëtar i Dajtit (28,561.85 ha)
Parku Kombëtar i Dajtit është i vendosur në pjesën qendrore të vargmalit Krujë-Dajt, në verilindje të Tiranës. Ky park njihet si një ekosistem i madh dhe i larmishëm, thuajse i paprekur nga njeriu, i ruajtur mirë. Ai shërben si shtëpia e 668 llojeve të ndryshme të kafshëve, një larmie të pambarimtë bimësh, katër prej tyre tipike për këtë vend. I mbuluar nga flora e shumëllojshme, parku ndërron pamje me stinët dhe të gjithë pamjet e tij janë mbresëlënëse. Afërsia kaq e madhe me kryeqytetin e bën Dajtin dhe parkun një pikë të parapëlqyer ku familjet shkojnë për piknik, turistët për të shijuar disa pamje përrallore të Tiranës, por ka plot gjëra të tjera që mund të bëni. Parku njihet për teleferikun e tij, unik për Shqipërinë, i cili jo vetëm dhuron një përvojë të mrekullueshme, por gjithashtu ka dhe një histori të gjëtë. Si një nga parqet më të populluara të vendit, Dajti ofron në zona të caktuara mundësi për alpinizëm, rrëshqitje me ski etj. Nga Dajti mund të shihet edhe Deti Adriatik. Madje, këtu janë gjetur edhe fosile midhjesh, gjë që provon aktivitetin malformues dhe tregon se shekuj më parë ky territor lagej nga deti. Klima e mirë dhe mjaft e shëndetshme është një tjetër arsye pse parku parapëlqehet në masë për çlodhje.
Si të shkoni: Në malin e Dajtit mund të shkosh duke ndjekur rrugën automobilistike ose me teleferik.
Parku Kombëtar i Shebenikut (34,507.9 ha)
Madhështor dhe plot gjelbërim, Shebeniku duket të ketë një natyrë të gëzueshme, me klimën e mirë dhe të ngrohtë, duket sikur të fton ta vizitosh. Është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Rajonin Juglindor të vendit, pranë Librazhdit. Cilësohet si një nga ekosistemet natyrore komplekse, pjesë e brezit të gjelbërt të Evropës, me disa prej peizazheve malore më madhështore në Ballkan. Temperamenti i dashur i vendasve dhe kultura e Shqipërisë së Mesme, i kanë dhënë emër të mirë zonës dhe gjatë kohës suaj në park mund të provoni mikpritjen dhe kuzhinën vendase në disa prej shtëpive të kthyera në taverna e hane. Adhuruesit e turizmit malor, e zgjedhin në masë parkun e Shebenikut për mundësitë e ndryshme të organizmit të ngjitjeve në pikat e zonës. Kujdes, rrugës mund të hasni tigra, ndonëse nuk ka shumë gjasa. Bëhet fjalë për tigrin e Ballkanit, Rrëqebullin, macen legjendare që sot bën pjesë në listën e kuqe të rrezikut për zhdukje. Alpinizmi është aktiviteti më i mirë që mund të kryeni në Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Si të shkoni: Nga veriu, nga Peshkopia apo Dibra mund të arrihet me rrugën Peshkopi-Librazhd në hyrje të fshatit Stërblevë, ose të vazhdohet deri në hyrjet poshtë. Nga Tirana, Elbasani apo perëndimi, parku mund të arrihet me autostradën Tiranë-Shkup.
Parku kombëtar Divjakë-Karavasta (22,389.08 ha)
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në larmishmëri dhe burime natyrore. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirës bregdetare shqiptare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut. Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70km larg Tiranës. Galeria e gjerë e peizazheve, specieve, shumë prej të cilave të rrezikuara, i japin parkut Divjakë-Karavasta rolin e një qelize natyrore në zemër të bregdetit, përgjegjëse për krijimin dhe zhvillimin e një jete të brishtë me rëndësi dhe vlera të veçanta kulturore, shkencore dhe historike. Divjaka njihet edhe si zonë turistike plazhi, ndaj mundësia për të kaluar një ditë të mbushur plot me aktivitete paraqitet natyrshëm. Gjithsesi, besojmë se një ditë do t’ju mjaftojë për të përjetuar bukurinë dhe energjinë e paqtë të parkut. Parku njihet gjithashtu për Lagunën e Karavastasë, më e madhja në vend, rezidenca e një pelikani simpatik (Pelikani Kaçurrel) dhe e shumë specieve të tjera. Vizitimi i parkut ofron një mundësi shumë të mirë për të provuar kuzhinën lokale dhe mënyrat tradicionale të zejeve.
Si të shkoni: Rruga që të çon në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta është tërësisht e rehabilituar. Nga Tirana duhet të marrësh autostradën për në Durrës dhe më pas, që andej, të marrësh atë për në Fier. Më pas, pas rreth 38 kilometrash, ndiqni tabelat për Çermë dhe më pas ato për Divjakë.
Parku Kombëtar i Prespës (27,613.05 ha)
Ndodhet në kufi të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është vijim natyror i Parkut Kombëtar Prespa në Greqi dhe Parkut Kombëtar Galiçica, në Maqedoninë e Veriut. Përfshin liqenet Prespa e Madhe dhe e Vogël dhe territoret përreth tyre. Sipas marrëveshjes trepalëshe, ndërmjet tre vendeve bregliqenore, njëherazi, është park ndërkufitar. Brenda këtij ekosistemi gjenden 22 lloje habitatesh dhe gjejmë edhe këtu Rrëqebullin. Liqenet e Prespës kanë origjinë tektonike, ujerat e liqenit të madh janë të qarta dhe thellësia e tyre arrin deri në 54 metra. Përpos mundësisë për të shijuar peizazhe delikate, mund të vizitoni ishullin e gjarpërinjve, Malingradin, i cili gjendet në pjesën shqiptare të parkut. Kisha që gjendet në ishull i përket shekullit XIV. I njohur edhe për banorët e shpellave të zonës, parku ka një numër të madh lakuriqësh nate.
Si të shkoni: Nëse udhëtoni nga Tirana, merrni një autobus publik për në Korçë në stacionin e autobusëve pranë Fakultetit të Ekonomisë. Ky autobus jus jell në stacionin e autobusëve në Korçë ku mund të marrni një nga dy autobusët publikë që udhëtojnë për në Parkun Kombëtar të Prespës. Nëse udhëtoni nëpër Maqedoni për të shkuar në Parkun Kombëtar të Prespës, ka një kalim kufitar në Stenjë dhe pas 5 km jeni në qendër të parkut.
Parku Kombëtar Tomorr (27,158.5 ha)
Mali i Tomorit ndodhet në lindje të qytetit të Beratit e Poliçanit, në jug-juglindje të Çorovodës, në perëndim të Gramshit dhe në pjesën më veriore të vargut malor Tomorr-Kulmak-Miçan. Në botën kulturore shqiptare, Mali i Tomorrit zë një vend të veçantë si pikë pelegrinazhi, ai shihet si simbol i natyrës, një vend me veçanti të theksuara dhe energji të veçanta. Një tempull natyror i panteizmit, majë tij mund të gjenden monumente kulti të tilla si Teqeja e Kulmakut, ku më së shumti janë besimtarët bektashinj që vazhdojnë të ruajnë traditat. Madje cilësitë e tij të besimit shkojnë edhe më prapa në histori, mali përmendet nga burimet antike greke si vend i shenjtë ritualesh pagane dhe në dokumente të caktuara del edhe si mal mitologjik, nga ku Zeusi herë pas here hidhte rrufetë e tij idhnake. Me një biodiversitet të rrallë dhe shumë të pasur, në këtë park përzihen elementët bimorë të zonës biogjeografike mesdhetare dhe asaj alpine. Në brendësi të parkut gjenden monumente natyrore me bukuri të freskët, si Ujëvara e Sotirës, Ujëvara e Bogovës, Cirqet dhe Morenat Akullnajore të Tomorrit, Shpella e Kapinovës, që të gjitha ia vlejnë t’i vizitosh. Në park mund të bëni ecje në terrene të vështira, çiklizëm, ngjitje në shkëmbinj, ecje me kuaj, madje gjatë dimrit, parku ofron edhe mundësi shumë të mira alpinizmi.
Si të shkoni: Nga Tirana udhëtoni drejt Elbasanit. Më pas nga Elbasani merrni rrugën për në Berat. Pasi të mbërrini në Berat, drejtojuni Poliçanit dhe nga aty sinjalistika do t’ju ndihmojë të mbërrini në park.
Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli (30,600 ha)
I vlerësuar si mushkëria natyrore e Shqipërisë së Jugut, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli është ndër më të mëdhenjtë në vend, njëkohësisht kurora më e madhe pyjore e jugut. Vlerat historiko-natyrore të parkut përfaqësohen nga mbizotërimi i Bredhit të Maqedonisë, një specie relikte mesdhetare. Për të gjithë ithtarët e ecjeve të mundimshme në këmbë (trekking) parku ofron pesë itinerare të ndryshme, zona është gjithashtu ideale për çiklizëm malor, dhe makina 4×4 (intinerari më i frekuentuar është Përmet-Frashër-Ogren-Bënjë-Përmet). Gjatë itinerarëve është e mundur të vizitohen edhe disa fshatra të zonës, prej të cilëve Frashëri, ku mund të ndalohet edhe në shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, trinia më famëmadhe iluministe e periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1831-1912). Rruga mund t’ju çojë në Kanionin e Kamenicës, apo në Kanionin e Langaricës, që të dyja me bukuri idilike. Brendia e parkut dëshmon kulturën e hershme dhe të pasur të zonës, dëshmi janë monumentet kulturore dhe historike si kisha e Shën Mërisë në Okdunan e Kosinë, Teqeja e Ali Postivanit, dhe Frashërit, Ura e Katiut etj. Në dimër, vizitorët mëtojnë se bora i jep thuajse një bukuri naive prej përralle parkut dhe duke çuar ndërmend se lartësitë shkojnë deri në 1600 metra, duhet të jetë goxha pamje.
Si të shkoni: Nisja nga Tirana. Ecni në autostradën Tiranë – Elbasan. Vazhdoni rrugën për në Gjirokastër. Tabelat do t’ju orientojnë për të mbërritur ne vendmbërritje.
Parku Kombëtar Karaburun-Sazan (12,437.7 ha)
Ky është parku i vetëm kombëtar detar, rasti i një ekosistemi ujor detar të pasur, shtëpi e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare. Shtrihet në hapësirën detare me gjerësi 1 milje detare, përgjatë Gadishullit të Karaburunit (nga Kepi i Shën Vasilit deri te faqja e Langadhës) dhe rreth Ishullit të Sazanit. E gjithë zona e parkut është një amalgamë peizazhezh fantastike detare, shpellash nënujore, gjiresh me emra të veçantë dhe mundësishë fantastike për të kaluar një kohë të bukur me miqtë apo familjarët. E gjithë zona dallohet si një nga oazet detare me pamje nga më të bukurat në Detin Mesdhe. Parku vizitohet shpeshherë nga specie detare emblematike, si Foka e Mesdheut, apo Delfinët. Duket se ky park tërheq gjithnjë më shumë turistë, sidmos gjatë sezonit veror, pasi ofron mundësinë e shëtitjeve me anije, vizitimin dhe eksplorimin e shoqëruar dhe me masa sigurie të shpellave nënujore dhe natyrisht, të bërit plazh nën diellin mesdhetar, që shërben ndoshta si përvoja më karakteristike për këtë zonë. Ka gjithashtu elemente shumë interesantë të historisë dhe kulturës materiale, të cilat aman, do t’i gjeni nën ujë, në formën e mbetjeve të anijeve të lashta ilire, greke, por edhe atyre mesjetare apo moderne. Mbi ujë, më mirë të themi në breg, mund të shihni mbishkrimet e peshkatarëve dhe marinarëve të lashtë mbi shkëmbinj. Parku ka rëndësi të veçantë dhe prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe, sipas Konventës së Barcelonës. Parku Kombëtar Karaburun-Sazan është përralla detare e Shqipërisë.
Si të shkoni: Nga Tirana shkoni drejt Elbasanit, dhe nga Elbasani ndiqni rrugën drejt Vlorës. Në vlorë ndiqni sinjalistikën.
Parku Kombëtar Vjosë
Parku më i ri kombëtar i Shqipërisë, Parku Kombëtar i Lumit Vjosë përfaqëon një fenomen mbarëbotëror të vullnetit të ambientalistëve dhe eskpertëve për të ruajtur një nga lumenjtë e egër të fundit të Evropës dhe është i pari dhe i vetmi lum i egër që mban statusin e një parku kombëtar në Evropë. Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Ajo bën pjesë në listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s dhe është shtëpia e mbi 1000 specieve, 13 të rrezikuara botërisht. Vjosa është një dëshmi e guximshe e bashkëjetesës së njerëzve, kulturave dhe natyrës për më shumë se 2400 vite. Pamjet marramendëse të luginës nuk duhen humbur. Mund të shijoni parkun duke bërë vozitje (rafting), ecje, apo edhe ngjitje. Sigurohuni që të provoni edhe pjatat fantastike të zonës.
Parku Kombëtar i Llogarasë (1,769.2 ha)
Ky është ndoshta parku më i njohur i Shqipërisë, një monument natyror solemn i cili bën bashkë të gjithë zonat bimore të vendit, duke krijuar peizazhe mikse të pyjeve mesdhetare, por edhe të kullotave alpine. Gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Shquhet për bukurinë e rrallë natyrore dhe panoramën e jashtëzkonshme të Jonit, madje është quajtur edhe “ballkoni me pamjen më të bukur në Shqipëri”, duke iu referuar kështu Qafës së Llogarasë. Parku Kombëtar i Llogarasë përfaqëson një nga zonat më të pasura dhe të veçanta të larmisë biologjike, me 15 lloje habitatesh, shumica e të cilave ruhen në nivel ndërkombëtar. Për shumë shqiptarë kjo zonë është burim kujtimesh, pasi prej vitesh ka shërbyer si një aks i pazëvendësueshëm në rrugën e pushimeve verore, për shumicën e pushuesve të jugut. Simbol i zonës, ndër të tjera është edhe pisha Flamur, një pishë me vjetërsi mbi 100 vjeçare, që erërat e forta e kanë përkulur, duke i dhënë siluetën e një flamuri që valëvitet. Llogaraja, por edhe Mali i Çikës (2044 m) janë pjesë e vargamaleve akrokeraune, në lashtësi kufiri verior i Shtetit të Epirit. Vitet e fundit sportet e ajrit (veçanërisht hedhja me parashutë) dhe çiklizmi malor janë shtuar si disa prej aktiviteteve më të parapëlqyera të vizitorëve. Gjatë dimrit, parku ofron pamje spektakolare të dëborës dhe bukurisë së acarit.
Si të shkoni: Mënyra më e mirë është të ndiqni rrugën Fier-Sarandë. Nëse udhëtoni me autobuz, mund të merrni një autobuz nga Tirana drejt Vlorës dhe më pas furgonin e posaçëm nga Vlora për në Llogara.
Parku Kombëtar i Butrintit (8,622.2 ha)
Po, ky është Butrinti i “Natës së dymbëshjetë”, apo njohur ndryshe, një nga vendodhjet e parapëlqyera të pushimit për aristokracinë Greko-romake të antikitetit. Ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës. Për ndërlidhjen e peizazheve shumëllojshe natyrore me mbetjet dhe artefaktet e vyera antike të kulturës greko-romake, Butrinti gëzon statusin e një emri të artë në historinë e arkeologjisë shqiptare, pjesa historike është pjesë e UNESCO-s prej 1999, kurse liqeni i Butrintit është Zonë Veçanërisht e Mbrojtur, sipas Konventës së Barcelonës 1995. Me fjalë të tjera, parku është fat i madh për Shqipërinë. Madje këtu mund të shihni edhe blloqe të mëdha me mbishkrime pellazge. Vëzhgimi i pikave historike dhe shijimi i bukurive natyrore, janë pa dyshim aktiviteti parësor dhe më i rëndësishëm kur vizitoni Butrintin. Nëse jeni me fat, brigjeve mund të hasni ndonjë delfin apo breshkë deti. Në habitatet e këtij parku jetojnë rreth 35 lloje gjallesash globalisht të kërcënuara. Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore Arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000 vjeçar.
Si të shkoni: Ju rekomandojmë të ndiqni rrugën nacionale Sarandë-Ksamil. Nisja nga Tirana.