Price: Original price was: €4,059.00.€3,450.00Current price is: €3,450.00.
Udhëtim në Japoni – Tokio, Kioto & Osaka
Dita 1 & 2 – Nga Tirana në Tokyo, qyteti ku e ardhmja takohet me traditën
Do të takohemi me guidën rreth orës 3 orë para nisjes në aeroportin “Nënë Tereza”. Nisemi drejt Tokyos me një tranzit në Stamboll (për detaje të hollësishme rreth fluturimeve ju lutem shihni seksionin “Fluturimi”).
—————————-
Mirë se vini në Japoni!
Pas mbërritjes në aeroportin e Tokyos, do të kryhet transferimi drejt hotelit ku do të kemi mundësi të lemë valixhet në recepsion.
Që në momentet e para, Tokyo ju prezanton me karakterin e tij unik. Kryeqyteti japonez është një metropol ku energjia e një prej qyteteve më dinamike në botë bashkohet me qetësinë e tempujve, kopshteve tradicionale dhe zakoneve që kanë kaluar brez pas brezi.
Do të konsumojmë drekën dhe më pas vazhdojmë së bashku me guidën drejt një prej pamjeve më ikonike të Japonisë moderne – Shibuya Crossing. Mijëra njerëz që kalojnë në të njëjtën kohë, dritat e reklamave dhe ritmi i qytetit krijojnë një skenë që simbolizon energjinë e Tokyos.
Pas sugjerimeve të guidës, do të keni mundësi të eksploroni atraksionet përreth Shibuya Crossing sipas dëshirës ose të ktheheni në hotel për të pushuar.
Akomodimi në Shibuya Excel Hotel Tokyu 4*.
Dita 3 – Madhështia e Malit Fuji
Sot largohemi nga ritmi urban i Tokyos dhe udhëtojmë drejt një prej pamjeve më ikonike të Japonisë: malit Fuji.
I konsideruar si simbol kombëtar dhe një vend me rëndësi të veçantë shpirtërore për japonezët, mali Fuji ngrihet me elegancë mbi peizazhin përreth dhe prej shekujsh ka frymëzuar artistë, poetë dhe udhëtarë nga e gjithë bota.
Udhëtimi vazhdon drejt Arakurayama Sengen Park, një nga pikat më të fotografuara të Japonisë, ku pagoda tradicionale Chureito krijon një panoramë perfekte përballë malit Fuji.
Pas kësaj ndalese vazhdojmë drejt zonës së Liqenit Kawaguchi, një nga pesë liqenet që rrethojnë malin. Qetësia e ujërave, natyra përreth dhe pamja madhështore e Fuji-t krijojnë një nga momentet më të bukura të këtij udhëtimi.
Një lundrim në liqen na lejon ta shijojmë këtë peizazh nga një këndvështrim tjetër, duke përjetuar një nga pamjet më karakteristike të Japonisë.
Në fund të ditës rikthehemi në Tokyo.
Akomodohemi në Shibuya Excel Hotel Tokyu 4*.
Dita 4 – Tokyo – nga qetësia e tempujve te energjia e qytetit
Sot zbulojmë dy anët e Tokyos: atë tradicionale dhe atë moderne.
Dita fillon në Tsukiji Market, një vend ku mund të ndiejmë më nga afër kulturën gastronomike japoneze dhe dashurinë e këtij vendi për ushqimin cilësor.
Udhëtimi vazhdon drejt Senso-ji Temple, tempullit më të vjetër budist të Tokyos. Përmes portës tradicionale Kaminarimon dhe rrugës Nakamise, do të zbulojmë një pjesë të qytetit të vjetër, me dyqane tradicionale, ushqime lokale dhe atmosferën karakteristike japoneze.
Në drekë vizitojmë zonën e Meiji Jingu Shrine, një tempull Shinto i vendosur mes një pylli të gjelbër në zemër të qytetit. Këtu largohemi për pak nga ritmi i shpejtë i metropolit dhe hyjmë në një atmosferë më të qetë, ku traditat japoneze dhe lidhja me natyrën janë ende pjesë e jetës së përditshme.
Pas kësaj do të vizitojmë Odaiba, një atraksion turistik me pamje fantastike të “Urës së Ylberit”.
Akomodohemi në Shibuya Excel Hotel Tokyu 4*.
Dita 5 – Kyoto dhe treni Shinkansen
Sot fillojmë një nga momentet më të veçanta të udhëtimit: nisjen drejt Kyoto-s me trenin legjendar japonez Shinkansen.
Nuk është vetëm një transfertë, por një eksperiencë më vete, ku shpejtësia, komoditeti dhe pamjet që ndryshojnë gradualisht nga qyteti drejt peizazheve tradicionale japoneze krijojnë një tjetër kujtim të paharrueshëm.
Kyoto, ish-kryeqyteti i Japonisë, është qyteti ku historia vazhdon të jetojë. Tempullë të lashtë, kopshte tradicionale, rrugica historike dhe tradita të ruajtura prej shekujsh e bëjnë këtë një nga vendet më autentike të vendit.
Vizita jonë fillon me Kiyomizu-dera, një tempull madhështor i vendosur mbi kodër, i njohur për arkitekturën prej druri dhe pamjet spektakolare mbi qytet.
Më pas do të ecim nëpër rrugët tradicionale Ninenzaka dhe Sannenzaka, ku shtëpitë prej druri, çajtoret dhe dyqanet artizanale krijojnë ndjesinë e një udhëtimi në Japoninë e vjetër.
Dita përfundon në Gion, lagjja tradicionale e Kyoto-s, ku ende mund të ndihen gjurmët e kulturës së geishave dhe atmosferës së Japonisë klasike.
Për ta bërë eksperiencën edhe më autentike, do të keni mundësinë të përjetoni një ceremoni tradicionale çaji dhe eksperiencë me kimono (aktivitete opsionale).
Akomodohemi në Hotel Monterey Kyoto 4*
Dita 6 – Nga tempujt e artë te pyjet magjike të bambuve në Osaka
Dita e sotme na sjell një tjetër përjetim të veçantë të Kyoto-s, duke kombinuar arkitekturën tradicionale japoneze me bukurinë e natyrës.
Fillojmë me një nga pamjet më ikonike të qytetit: Kinkaku-ji, i njohur si Pavijoni i Artë. I vendosur përballë një liqeni të qetë, tempulli reflekton në ujë fasadën e tij të mbuluar me ar, duke krijuar një nga skenat më elegante dhe fotografuara të Japonisë.
Ky vend, dikur një vilë pushimi për një nga figurat më të fuqishme të historisë japoneze, sot përfaqëson një nga thesaret më të bukura të trashëgimisë kulturore të vendit.
Më pas udhëtimi vazhdon drejt zonës së Arashiyama, një prej vendeve më të famshme të Kyoto-s për bukurinë natyrore dhe atmosferën e saj unike.
Një nga momentet më të veçanta të ditës është udhëtimi me trenin panoramik Sagano Romantic Train, i cili përshkon luginat, malet dhe peizazhet natyrore përgjatë lumit Hozugawa. Gjatë rrugës, natyra japoneze shfaqet në të gjitha ngjyrat e saj – nga gjelbërimi i verës te ngjyrat e arta të vjeshtës.
Pas kësaj eksperience vazhdojmë në këmbë drejt Arashiyama Bamboo Grove, një nga peizazhet më magjepsëse të Japonisë. Shtigjet mes bambuve të larta krijojnë një atmosferë të qetë dhe pothuajse surreale, duke e bërë këtë një nga momentet më të paharrueshme të udhëtimit.
Para largimit nga Kyoto, do të shijojmë edhe pamjen nga Togetsukyo Bridge, ura historike që hap një panoramë të bukur mbi lumin dhe malet përreth.
Në fund të ditës vazhdojmë drejt Osaka-s, qytetit që na pret me një atmosferë krejt ndryshe: më dinamike, më moderne dhe plot jetë.
Akomodohemi në Osaka Excel Hotel Tokyu 4*.
Dita 7 – Osaka
Osaka është një qytet me energji shumë më të veçantë nga të tjerët. Ndryshe nga qetësia tradicionale e Kyoto-s apo ritmi futurist i Tokyos, Osaka të mirëpret me një atmosferë më të gjallë, me njerëz më të hapur dhe një kulturë gastronomike që është pjesë e identitetit të saj.
Dita fillon me Osaka Castle, një nga simbolet më të rëndësishme të qytetit dhe një dëshmi e historisë së Japonisë. I rrethuar nga kopshte dhe hapësira të gjelbra, ky kompleks na sjell më pranë periudhës së samurajve dhe historisë së bashkimit të Japonisë.
Më pas vazhdojmë drejt Umeda Sky Building, një nga ndërtesat më karakteristike të Osaka-s. Nga platforma panoramike hapet një pamje spektakolare mbi qytetin, duke na treguar përmasat dhe energjinë e këtij metropoli modern.
Pasditja i kushtohet atmosferës së vërtetë të Osaka-s.
Në rrugët e Shinsaibashi, një nga zonat më të famshme të shopping-ut, do të ndiejmë ritmin urban të qytetit, ndërsa në Dotonbori do të zbulojmë zemrën e jetës së natës dhe gastronomisë lokale.
Dritat shumëngjyrëshe, tabelat gjigante, restorantet tradicionale dhe aroma e ushqimeve japoneze krijojnë një atmosferë që nuk gjendet askund tjetër.
Kjo është mundësia perfekte për të provuar disa prej specialiteteve më të njohura të Osaka-s, si takoyaki, okonomiyaki dhe ushqime të tjera lokale që e kanë bërë qytetin të famshëm si “kuzhina e Japonisë”.
Akomodohemi në Osaka Excel Hotel Tokyu 4*.
Dita 8 – Fundi i një udhëtimi të paharrueshëm në Japoni
Pas mëngjesit në hotel, lëmë valixhet në recepsion dhe do të kemi kohë të lirë për të shijuar momentet e fundit në Osaka përpara transferimit drejt aeroportit.
Gjatë ditës do të kemi mundësi të eksplorojmë qytetin në bazë të sugjerimeve që do të na japë guida ose të bëjmë shopping për të marrë copëza të vogla nga Japonia me vete.
Në orarin e përcaktuar do të kryhet transferimi drejt Kansai International Airport, duke mbyllur një udhëtim që na çoi përmes historisë, kulturës, natyrës dhe ritmit unik të Japonisë moderne.
Nga rrugët plot jetë të Tokyos, te qetësia e Kyoto-s, nga madhështia e malit Fuji deri te energjia e Osaka-s, kjo eksperiencë na tregon një Japoni të plotë – një vend ku e kaluara dhe e ardhmja jetojnë së bashku në mënyrën më magjepsëse.
















