Muzika shqiptare që nuk duhet humbur

October 25, 2023
Informacion

Muzika shqiptare që nuk duhet humbur

Muzika tradicionale shqiptare është një pasuri e jashtëzakonshme e trashëgimisë sonë kulturore jomateriale. Në kohë, populli ka krijuar, ka shndërruar dhe ka mbajtur gjallë një kulturë të vjetër qindra vjeçare, e cila e ka shoqëruar njeriun shqiptar gjatë gjithë jetës. Kjo kulturë e lashtë është pasuruar, duke krijuar kultura të reja muzikore, të mëvonshme, por njëlloj të bukura e domethënëse për identitetin e shqiptarëve. Muzika gege, muzika toske, muzika labe dhe muzika qytetare janë çfarë kemi parasysh me muzikë tradicionale, por mbani parasysh se ky artikull synon t’ju rekomandojë juve disa lloje të muzikës shqiptare që shquhen për bukurine dhe veçantinë e tyre, ndaj në asnjë moment ky artikull nuk ka për qëllim të flasë në nivele teknike në lidhje me muzikën, veçse në rrafsh informues.

Nga veriu në jug: muzika shqiptare që nuk duhet humbur

Gjama e burrave dhe vajtimi i grave

Të dyja këto lloje të kënduari janë rite që lidhen me vdekjen dhe largimin nga jeta të njeriut. Gjama e burrave është një ritual që besohet të ketë ardhur prej besimeve pagane. Në këtë ritual dhjetë ose më shumë burra bëhen bashkë dhe performojnë një koregorafi lëvizjesh e të bërtiturash që nderojnë personin që është ndarë nga jeta. Vajtimi i grave nga ana tjetër, njihet si e kënduar me ligje dhe është një interpretim recitativ që nderon të vdekurin, duke i thurur lavde e duke përmendur cilësitë dhe dhimbjen që ka lënë pas humbja e tij. Gjamën e burrave dhe vajtimin e grave nuk mund t’i hasni shpesh në përditshëtimëri, por janë pjesë e rëndësishme e kulturës jomateriale. Janë të përhapura në veri të vendit, sidomos në Dukagjin e Mirditë.

Këngët e ahengut të Shkodrës

Këngë e ahengut të Shkodrës janë pjesë e muzikës qytetare Shkodrane. E kanë fillesën në shek. XVIII dhe janë trashëguar brez pas brezi nga mjeshtrat e muzikës, por edhe nga vetë qytetarët. Këngët e ahengut janë shoqëruese të jetës së përditshme. Ato lindin prej situatave jetësore, shpesh të frymëzuara prej ngjarjeve personale. Natyra e gëzueshme, vërtetësia e teksteve dhe emocioni që përçojnë i bëjnë jo vetëm të pëlqyeshme, por një pjesë të rëndësishme të jetës në Shkodër dhe pasuri e kënaqësi më vete për këdo që i dëgjon.

Kënga qytetare e Shqipërisë së mesme

Muzika qyetare e Shqipërisë së mesme, ndonëse ka lindur më vonë se llojet e tjera më të hershme të muzikë shqiptare, mbart një vend të veçantë në kulturën muzikore, për shkak të vlerave të larta estetike, ku muzika dhe tekstet shkrihen në këngë ku i këndohet dashurisë, dhimbjes, jetës, gazit e haresë. Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Kavaja njihen për këtë muzikë të mrekullueshme. Vlera e tyre, përveçse gjendet në bukurinë teknike, qëndron edhe tek fakti se janë bërë pjesë e integruar e jetës së këtyre qyteteve.

Serenatat e Korçës

Serenatat janë prej kompozimeve muzikore më romantike. Natyra e qetë e serenatave, ëmbëlsia dhe ndjenja që i shoqëron, i bëjnë ato disa prej krijimeve më romantike në emër të dashurisë. Qyteti i Korçës ka një traditë thuajse 150 vjeçare të serenatave, të ndikuar prej serenatave italiane, spanjolle e greke, derisa u vu në lëvizje edhe krijimtaria vendase. Kultura e serenatave është përqafuar jo vetëm nga qyteti, por edhe nga pjesa tjetër tjetër e vendit që i shijojnë dhe i parapëlqejnë mbrëmjet e vona në pazarin historik të Korçës nën tingujt e ëmbël të serenatave.

Sazet e Përmetit

Qytetati i Përmetit njihet për formacionet e veta të sazeve. Ndonëse sazet janë formacione orkestrale popullore të krijuara në fillim të shek. XX, shpejt ato janë kthyer në shoqëruesen e muzikës popullore në trevat e jugut. Sazet përmetare krijojnë një atmosferë fantastike dhe nëse vizitoni Përmetin, mos u largoni pa i dëgjuar.

Iso-polifonia

Iso-polifonia shqiptare është shpallur nga UNESCO si pasuri gojore dhe shpirtërore e botës. Kjo mënyrë e të kënduarit që mendohet se është trashëguar që nga antikiteti, ka teknikë të veçantë dhe është një mjeshtëri e rrallë. Iso-polifonia e ka shoqëruar njeriun shqiptar në histori në momentet e veta më të gëzuara e më të trishtuara, duke qenë se shohim se ajo këndohet në rastë pikëllimi, por edhe në rasë gëzimi. Mendohet dhe pranohet se atdheu i vërtetë i iso-polifonisë shqiptare është jugu, por forma të saj gjejmë edhe në veri. Ata që e dëgjojnë shprehen se kjo mënyrë të kënduari ta ngre zemrën peshë e të mbush me emocione të pazakonta. Bukurtingëllimi, vështirësia teknike dhe historia e pasur, e bëjnë këngën iso-polifonike monumentale.

Spoonbill