Një udhëtim në Malin e Zi: Kotorr & Budva
Një vend mjaft interesant për tu vizituar gjatë gjithë vitit është edhe Mali i Zi. Mes atraksioneve të shumta ne po ju sjellim një udhëtim në Malin e Zi, në dy nga vendet më të bukura: Kotor dhe Budva.
Kotor
Kotori është një destinacion shumë interesant në Malin e Zi. I ndërtuar gjatë periudhës së mesjetës, Kotori vazhdon të ruajë edhe sot qytetin e vjeter aq të këndshëm. Prandaj është shpallur edhe zonë e mbrojtur nga UNESCO që në 1979. Është vërtet mbresëlënëse të eksplorosh rrugicat e vogla me kalldrëm që duket sikur krijojnë një labirint. Në çdo kthesë do të zbuloni një dyqan, restorant, apo kishë historike. Me këtë shëtitje do t’ju duket sikur do të ktheheni pas në kohë. Më pas, mund të vazhdoni të ngjiteni në kalanë e Kotorit. Është një ngjitje jo mjaft e lehtë, me 1300 shkallë, por pamjet që do të shikoni ia vlejnë. Nga lart mund të shikoni të gjithë gjirin e Kotorit me çatitë karakteristike portokalli, të rrethuar nga male të larta dhe deti Adriatik. Me padyshim mund të themi një nga zonat më të bukura përgjatë bregdetit të Adriatikut.
Budva
Mes vargut të gjatë të vendeve piktoreske përgjatë bregdetit malazez, Budva është një nga vendet më të njohura. Ajo që e bën Budvën një vend turistik mjaft të famshëm janë plazhet e shumta dhe ishujt e vegjël përreth. Ato ofrojnë të njejtat pamje të mrekullueshme, jo vetëm gjatë muajve të nxehtë të verës. Përveçse e njohur për plazhet, ajo është edhe një zonë historike me një kulturë që daton rreth 2500 vite më parë. Edhe në Budva nuk mund të mungonte shëtitja në qytetin e vjetër ku do të gjeni kisha të vjetra, si edhe kalanë të ndërtuar rreth shekullit XV. Megjithatë, qyteti i vjetër nuk është thjesht një zonë historike, pasi aty do të gjeni plot bare dhe restorante që gjallojnë në çdo moment të ditës.