Udhëtim drejt Tivatit

Eksplorim i Malit të Zi: Një Udhëtim drejt Tivatit

March 19, 2021
Udhëtime Blog

Po mendoni të udhëtoni në Mal të Zi? Kësaj here eksplorimi i këtij shteti do të jetë me një udhëtim drejt Tivatit. Një qytet mjaft i veçantë dhe piktoresk, por gjithashtu me ndalesa mjaft interesante përgjatë rrugës.

Shpella e Lipës

Shpella e Lipës

Gjatë rrugës për në Tivat, vendi i parë që mund të vizitoni është Shpella e Lipës. Padyshim një nga destinacionet më unike në Malin e Zi. Me një ndërthurje korridoresh prej 2,5 km, ajo njihet si shpella më e madhe në këtë territor. Format e ndryshme të krijuara nga natyra në këtë shpellë karstike i ofrojnë vizitorëve një eksperiencë vërtet mbresëlënëse.

Cetinje
Cetinje

Vetëm 5 km larg Shpellës së Lipës, rrëzë malit Lovcen, gjendet Cetinje. Një qytet i vogël me arkitekturën e shekujve të 18-të dhe 19-të. Rreth viteve 1878-1918 Cetinje njihej si kryeqyteti Malit të Zi, ndërsa sot ka njihet për pasurinë kulturore dhe historike. Një nga pikat më interesante për t’u vizituar është Manastiri i Cetinjes. Pavarësisht se gjatë pushtimit turk ai u rrënua disa hërë, njerëzit gjithnjë e rindërtonin. Sot atje gjenden relike, shkrime, madje edhe libri i parë i botuar në vendet sllave jugore. Një pikë tjetër që ia vlen të vizitohet është kalaja Biljarda, e cila dikur ishte rezidenca e Peter II Njegos, njërit prej sundimtarëve të dikurshëm të Malit të Zi. Sot njihet edhe si Muzeu Njegos ku gjenden objekte dhe ekzibicione nga jeta e tij. Padyshim një vizitë që nuk duhet humbur jo vetëm nga të gjithë të apasionuarit pas historisë e kulturës, por edhe nga ata që duan të njihen më shumë me atë çka ofron Mali i Zi.

Tivat (Porto Montenegro)
Eksplorim i Malit të Zi: Një Udhëtim drejt Tivatit

Dikur një qytet i zakonshëm e modest, por sot Tivati është kthyer në një nga resortet e jahteve më luksoze në Mesdhe. Porto Montenegro, njihet për shëtitoren e famshme ku mund të gjeni restorante, bare, apo dyqane, si edhe të shijoni pamjen e mrekullueshme të gjirit Boka, i cili mbrohet nga UNESCO. Më parë, ky port ka shërbyer si bazë ushtarake juosllave. Madje, disa nga objektet dhe artifaktet ruhen ende në Muzeun e Trashëgimisë Detare (Naval Heritage Museum). Dy objektet kryesore janë dy nëndetëse të marinës jugosllave, të cilat vihen re lehtësisht jashtë muzeut. Më pas në vitin 2007, kjo zonë u kthye në një port ku mund të shikoni edhe disa nga super-jahtet më luksoze nga e gjithë bota. Prandaj, një udhëtim drejt Tivatit është një eksperiencë mjaft e veçantë që nuk duhet humbur!

Spoonbill