Kalaja e Gjirokastrës – Pa dyshim që kalaja është pika më e rëndësishme turistike e qytetit. Ndërtimi i saj ende nuk ka një datë të gjithëpranuar, por ajo përmendet në historinë e Shqipërisë si një prej fortesave më të rëndësishme të qëndresës antiosmane. Kalaja ka një bukuri të gurtë tipike për Gjirokastrën dhe është prej kalave më të mëdha në Ballkan.
Kalaja e Libohovës – Klaja e Libohovës u ndërtua si dhuratë martese nga Ali Pasha për të motrën, Shanishanë. Besohet se u përdorën rrënojat e një formacioni më të vjetër për të ndërtuar këtë kala. Sot ekzistojnë veçse skica të pamjes origjinale të kalasë që ka qënë një vendbanim luksoz, por edhe një pikë e mirë për të ruajtur zonën.
Kalaja e Ali Pashë Tepelenës – Thuhet se Ali Pasha e ka mbikqyrur vetë ndërtimin e kësaj kalaje. Kalaja ka tri porta, formë jo të rregullt dhe disa kulla.
Burimet termale të Bënjës dhe ura e Katiut – Këto janë disa prej burimeve termale më të njohura në vend. Njerëz nga i gjithë vendi vijnë këtu për t’u larë në ujërat me veti trajtuese të Bënjës. Pranë burimeve gjendet edhe ura e Katiut e ndërtuar rreth viteve 1700 që gëzon vlera estetike dhe ofron një peizazh fantastic me malin e Nëmërçkës në sfond.
Ujësjellësi i Bënçës – Ujësjellësi është ndërtuar në kohën e Ali Pashës për të furnizuar kalanë e Tepelenës me ujë. Është i ndërtuar në formën e një ure dhe kalon sipër lumit të Bënçës.
Kisha e Labovës së Kryqit – Fshati ku gjendet kjo kishë ka të njëjtin emër me të. Kaq mjafton për të kuptuar rëndësinë që ka pasur kjo kishë për fshatin. Legjenda për ndërtimin e saj tregon se kisha u ndërtua me porosi të perandorit Justinian për të nderuar një komandnt të lartë të ushtrisë së tij që vinte prej këtij fshati. Ajo është një prej kishave më të vjetra bizantine në Shqipëri.
Kisha e Shën Apostujve – Kjo kishë është e mbuluar me ikona të mrekullueshme. Ajo gjendet në Zagori dhe i përket periudhës pasbizantine.
Muzeu i shtëpisë Kadare – Shtëpia e shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare është kthyer në muze që prej vitit 2018. Në këtë banesë tradicionale gjirokastrite mund të vizitohen ambientet ku ka kaluar fëmijërinë shkrimtari dhe mund të shihen disa prej objekteve origjinale të familjes.
Pazari i Gjirokastrës – Pas kalasë, pazari është vendi me të cilin Gjirokastra identifikohet. I ndërtuar rreth pesëqind vite më parë, qafa e pazarit kombinon arkitekturën e shtëpive mesjetare të stilit osman me rrugët e kalldrëmta dhe punishtet artizanale e jo vetëm.