Parku Arkeologjik i Bylisit – Bylisi ka qenë një qytet antik ilir me një jetë të zhvilluar qytetare dhe kjo mund të vërehet nga rrënojat e zbuluara të teatrit, stadiumit etj. Parku arkeologjik ofron pamje të mrekullueshme të kodrave dhe fushave të Mallakstrës, lumit Vjosë dhe jep veçse një shije të bukurisë së Bylisit në antikitet. Me të vërtetë ia vlen të vizitohet.
Parku Arkeologjik i Apolonisë – Parku më i madh arkeologjik i Shqipërisë ofron një përvojë të mrekullueshme mes rrënojave dhe monumenteve të qytetit më të rëndësishëm të bregdetit mesdhetar që mbante emrin e perëndisë greke Apolon. Apolonia, madhështore atëhere, madhështore edhe sot!
Dunat e Semanit – Në plazhin e Semanit janë krijuar disa duna rëre që krijojnë një peizazh interesant dhe i japin një natyrë paksa më ndryshe bregdetit.
Kisha e Shën Premtes – Në fshatin Povelçe gjendet një kishë shtatëqindvjeçare, e cila duket se në shekuj ka fituar statusin e një vendi mistik me energji dhe frymë mrekullibërëse. Kisha i ka mbijetuar gjithashtu bombardimeve dhe mbetet një objek i rëndësishëm i zonës, ndonëse është shumë pak e njohur.
Manastiri i Ardenicës – Kodrat e Ardenicës, fshehin mes gjelbërimit një manastir të famshëm që mban të njëjtin emër, ku një prej ngjarjeve më interesante që ka ndodhur është martesa e Skënderbeut në vitin 1451. Manastiri ofron një mundësi mjaft të mirë për të vizituar një destinacion të zhytur në histori.
Kisha e Shën Gjergjit Libofshë – E ngritur në vitin 1776, kjo është kisha ikonë e fshatit të Libofshës, e cila të mahnit me bukurinë e saj të afreskeve, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë atyre që e kanë vizituar.